Basketboll

Prishtina dhe Istogu përballen sot në çerekfinalen e parë të Superkupës

Prishtinë(AsistiOnline) – Superkupa e Kosovës te meshkujt hapet sot me një duel interesant.

Skuadra më e trofeshme kosovare, Sigal Prishtina luan në çerekfinale ndaj ekipit të inkuadruar për herë të parë në Superligë, Istogut me fillim nga ora 17:00 e pasdites.

Të dyja ekipet kanë bërë disa transfere në edicionin e ri, sidomos Prishtina që sivjet do të shënjestrojë të gjithë trofetë, ndërsa Istogu ka qëllim të mbetet pjesë e Superligës dhe të stabilizohet për edicionet e ardhshme.

Sa ju përket rostereve, Prishtina ka ndryshuar shumë edhe me vendorë edhe me të huaj, pasi ka transferuar lojtarë si Arti Hajdari, Daniel Lekndreaj, Fisnik Rugova, Alban Veseli, Jon Ismajli, Visar Ejupi, Muhamedali Janjeva. Derisa nga të huajt ka vazhduar vetëm me Derrick Wilson, por ka nënshkruar me Devoe Joseph të Pejës e ka transferuar edhe Nick Ward dhe Steven Davis. Ekipi sivjet do të drejtohet nga trajneri lituanez, Zydrunas Urbonas.

Nga ekipi i stinorit të kaluar te Prishtina janë larguar Jan Palokaj, Rezart Mehmedi, Jetmir Zeqiri, Valmir Kakruki, Arber Berisha dhe disa lojtarë të tjerë të rinj. Pra, te Prishtina kemi të bëjmë me një reforim total të ekipit, ku për dallim nga stinori i kaluar është ndërruar pothuajse tërësisht ekipi me vetëm tre lojtarë të mbetur, Berisha, L.Zeqiri dhe Wilson.

Sa i përket Istogut, klubi i sapo inkuadruar në Superligë e ka mbajtur kryesisht rosterin vendor për dallim nga stinori i kaluar, gjersa ka shtuar edhe transfere vendore si Dardan Maxharraj e Adrian Ibishi. Istogu ka bërë lëvizje edhe tek të huajt me dy amerikanët, Matthew Lang dhe Davonte Carrier. Skuadra pritet të drejtohet nga Fikret Shatri. Te Istogu nuk ka pasur ndonjë largim që vlen të ceket, përveç ardhjeve të reja.

Sfida transmetohet direkt në KSport1 në të gjitha platformat televizive vendore, si dhe në NimiTv.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.