Basketboll

Në Prishtinë para tri dekadave ishte themeluar Shkolla e parë private e basketbollit në Kosovë (FOTO)

Prishtinë(AsistiOnline) – Historia e basketbollit kosovar është tejet e vjetër dhe e bujshme dhe jo rastësisht është prej sporteve më masive dhe më të shikuara në vend.

Përpos klubit prizrenas, Bashkimi i cili është krijuar para afro 80 vitesh dhe njihet si klubi më i vjetër i basketbolit në Kosovë, në Prishtinë gjatë viteve të paraluftës ishte krijuar edhe shkolla e parë e basketbollit në Kosovë.

Ish-basketbollisti dhe tash gazetari i sportit e komentatori i njohur i basketbollit në vend, Agon Fehmiu së bashku me babain e tij të ndjerë prof.Arsim Fehmiu, kishin krijuar shkollën e parë private të basketbollit e quajtur “A.A.F.5” (Agon Arsim Fehmiu nr.5 numri i fanellës).

Koha në të cilën ishte krijuar kjo shkollë e basketbollit, ishte një epokë e vështirë gjatë të cilës, Agoni së bashku me babain e tij të ndjerë, prof.Arsim Fehmiun kishin punuar për mbijetesë të sportit dhe rezistencë ndaj okupimit dhe shkatërrimit të çdo gjëje që ishte shqiptare.

Kjo shkollë private e basketbollit ishte themeluar me 2 Maj të vitit 1994 në Prishtinë me stërvitje të zhvilluara në Shkollën fillore ”Dardania” me trajner Agon Fehmiun dhe mbikqyrës prof.Arsim Fehmiu, kjo shkollë e basketbollit lirisht mund të thuhet se ishte çerdhe dhe burim i talentëve dhe emrave të njohur të basketbollit që më vonë kontribuuan për dekada me rradhë dhe edhe më tutje vazhdojnë të punojnë në sportin që e duam shumë.

Vlen të ceket se në këtë shkollë të basketbollit e quajtur ”AAF5” ishin shkolluar dhe edukuar jo vetëm sportistë, por më vonë edhe personalitete kosovare në të tjera fusha.

Në kohërat e vështira të okupimit dhe represionit të egër serb në Kosovë, “A.A.F.5” ishte oazë e shkollimit dhe edukimit të brezave të rinj , si dhe mënyrë e rezistencës dhe luftës për ditë më të mira.

Disa prej emrave që ishin zhvilluar si basketbollistë tek kjo shkollë ishin: Blerand Stavileci (kryetar i KB Prishtina), Astrit Leti, Burim Maraj (ish kryetar i KB Prishtina), Arben Fetahu, Ardian Ymeri, Edmond Azemi (ikonë e KB Prishtina), Vigan Sylejmani, Dardan Sejdiu (politikan), Baton Murati, Albert Sylejmani ( tash trajner basketbolli) dhe Agon Sylejmani (Agon Amiga – këngëtar i njohur), Valon Syla (gazetar e analist), Labinot e Lis Cërrabregu, Flon Bajraktari, Valon Xharra, Visar Beqiri, Besnik Sokoli, Dastid Pallaska (avokat), Dren Maliqi , e shumë e shumë emra tjerë.

Shumë shpejtë, për ju të dashur lexues dhe gurmanë të basketbollit, në AsistiOnline.com do të sjellim arkivat e shkrimeve dhe fotove nga kjo periudhë dhe tjerat të basketbollit tonë, që do të hapen vetëm për ju.
Në fotografinë e mëposhtme shkrimi i Burim Hatipit të ndjerë (Gazeta Bujku, 11 Korrik 1995).
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.