Basketboll

Azerbejxhani mbrëmë u mposht thellë, s’kreu punë as Leday i Euroligës

Prishtinë(AsistiOnline) – Mbrëmë nisi kampanja parakualifikuese e Kombëtareve për Kupën e Botës 2027.

Kosova triumfoi ndaj Irlandës e dy ekipet e tjera të grupit tonë, Zvicra dhe Azerbejxhani që luajtën mes vete, zhvilluan një ndeshje interesante në pjesën e parë e pastaj në të dytën dominuan zvicranët dhe fituan tejet thellë 72-53, shkruan AsistiOnline.com

Natyralizimi i skuadrës, lojtari nga Euroliga që luan te Partizani i Beogradit, Zach Leday nuk mundi ta ndihmojë ekipin për fitore edhe pse kishte performancë tejet pozitive prej 22 pikëve, 6 kërcime (të gjitha në mbrojtje), 3 asiste, 2 bllokada, derisa kishte 5 topa të humbur e shkaktoi dy faule në gati 40 minuta lojë, pasi pushoi vetëm 25 sekonda nga e gjithë ndeshja.

Leday ishte mjaftë efikas nga loja me 2 treshe nga 4 tentime, shtoi 4 dyshe nga 6 tentime dhe shënoi edhe 8 gjuajtje të lira nga 10 tentime, për indeksin final prej +22.

Leday që luan te Partizani i Beogradit në edicionin e tretë sivjet, është prej lojtarëve kryesorë dhe më të besuar të Zheljko Obradoviq, derisa vlen të ceket se ky lojtar është vëllau i ish lojtarit të Sigal Prishtinës, Seth Leday, i cili momentalisht po luan në elitën polake me Arka Gdynia me mesatare prej 14.3 pikë e 10.2 kërcime.

Azerbejxhani e ka të natyralizuar edhe një lojtar tjetër të Euroligës, amerikanin tjetër që luan te Monaco, Donta Hall, por selektori azer ka vendosur që për këtë tur të ndeshjeve ta marrë në formacion, Zach Leday.

Natyrisht që Kosova duhet të ketë kujdes nga ky lojtar i cili ndaj Zvicrës realizoi shumë pikë në të njejtën kohë me faule, pra lojtari ka një nuhatje të jashëzakonshme të koshit dhe është shumë lojtar ekipor e profitabil. Përveç hapësirës nën kosh e lojës me shpindë, Leday godet shumë mirë edhe nga distancat e largëta dhe kryesisht këto janë karakteristikat që e veçojnë këtë basketbollist me reputacion të madh në Euroligë.

Përpos Leday, mbrëm tek azerët ndaj Zvicrës asnjë lojtar tjetër nuk arriti pikë dyshifrore me Saadettin Donat i cili lojtar luan në Ligën e parë turke me Ormanspor dhe mbrëmë kishte 9 pikë e 6 kërcime, derisa edhe lojtari tjetër që luan në ligën e parë të Turqisë, Orhan Haciyeva me Yalovaspor, mbrëmë në 36 minuta lojë kishte 8 pikë e 4 kërcime e pjesa tjetër e basketbollistëve lanë për të dëshiruar.

Ndeshja mes Azerbejxhanit e Kosovës luhet të dielën me fillim nga ora 16:00, sipas kohës sonë lokale dhe luhet në palestrën ”Sarkhadchi Sport Center” në kryeqytetin e tyre, Baku.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.