SPECIALE: Beqiragiq apo Mijoviq?
Shumë simbolika e shumë statistika por kush do t’i kurrorëzoj këto me titull kampioni ?
Finalja vendimtare ka shumë simbolika e shumë statistika.
Fakti i parë është se, pikërisht Ylli rivali i Trepçës në finalen e sivjetme ishte ai që i bëri ballë skuadrës së Adis Beqiragiqit dhe i shkaktoi 4 nga 5 humbjet e sivjetme dhe të vetmen në Minatori.
Fakti i dytë, është se kjo reprizë e finales së para dy viteve kur therandasit i mohun Trepçës kthimin e titullit të kampionit në Minatori pas një dekade dhe asokohe Ylli udhëhiqej nga mjeshtri Adis Beqiragiqi, arkitekti i sukseseve historike të basketbollit therandas në krye me treshen vendore Gëzim Morina, Erjon Kastrati dhe Mikaile Tmushiqi kurse sivjet tre prej atyre akterëve të suksesit të Yllit j janë në anën tjetër: gjenerali Beqiragiq me luftëtarët e tij Erjonin dhe Mikailen janë pjesë e Trepçës dhe përball e kanë kapitenin tashmë legjendar të Yllit , Gëzim Morinën nën udhëheqjen e komandantit të ri: Petar Mijoviq.
Duhet rikujtuar se Mijoviqi erdhi në krye të Yllit me 4 Shkurt kundër Prizrenit dhe gjatë kësaj periudhe në Superligë zhvilloi 9 ndeshje duke i fituar 8 dhe pësuar vetëm një herë, dhe atë pikërisht nga Trepça me 9 Shkurt në Minatori me rezultat të ngushtë (73:78).
6 ditë më vonë me 15 Shkurt, kësaj here në Shani Nushi të Gjakovës, Trepça e mposhti edhe një herë Yllin me rezultat 72:59 në kuadër të gjysmëfinales së Kupës dhe më pas, sikurse thash, Mijoviqi dhe Beqiragiqi u ndeshën në finalen fantastike e dramatike të Ligës Unike ku skuadra e Mijoviqit dominoi gjatë tërë ndeshjes dhe ishte në prag të fitonte titullin e Unikes por Darnell Edge në sekondat e fundit me treshe ua siguroi mitrovicasve trofeun e 15 në histori, titullin e kampionve të Ligës Unike.
Megjithatë, katër ditë më vonë, të enjten e 4 Prillit, në kuadër të xhiros së fundit të Superligës, Mijoviqi iu revanshua dhe fitoi përballjen e parë direkte ndaj Adisit pas tri humbjeve rresht.
Ndërkohë, të dyja ekipet arritën në finale të Play Offit të Prince Cafe Superligës ku Adisi dhe Mijoviqi fituan secili nga dy ndeshje dhe aktualisht seria është e niveluar 2:2.
Në total, nga 8 përballjet midis këtyre dyve Adisi i ka fituar 5 ndeshje kurse Mijoviqi 3.
Përballja e nëntë midis këtyre dyve do të jetë më e madhja dhe më domethënëse sepse e sjell trofeun më të çmueshëm të edicionit, titullin e kampionit.
Do të jetë kjo edhe një përballje e Mijoviqit që e këndelli plotësisht Yllin prej se erdhi në krye të ekipit tash e tre muaj dhe njeriut që është arkitekt i sukseseve historike të basketbollit therandas Adis Beqiragiqit i cili po ndeshet me ish skuadrën e tij duke u munduar që të bëj histori edhe me Trepçën duke ua kthyer titullin e kampionëve pas 12 vjetëve.
NËSE FITON ADISI DO TË THYEJ DISA REKORDE ME TREPÇËN
Nëse Adisi sivjet stoliset me titullin e kampionit ai do të kompletoi shumë rekorde me mitrovicas:
- Për një edicion do të fitoj katër trofe: Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës , Ligën Unike dhe titullin kampion
- Do të bëhet trajneri i vetëm në histori të basketbollit kosovar që fiton trofe me tri skuadra të ndryshme kosovare (pas Kupës 2020 me Pejë, 4 trofeve më Yllin , do t’i ketë edhe 4 trofe me Trepçën)
- Do të kthej titullin në Minatori pas 12 viteve
- Njëherësh stolisja eventuale me titull kampioni do të ishte trofeu i 16 për Trepçën e cila do të kalonte në pozitën e dytë të skuadrave më të trofeshme kosovare të gjitha kohëve pas Prishtinës e cila i ka 40
SUKSESI SHKËLQYESHËM I MIJOVIQIT PËR TRE MUAJ
Për të arritur këto suksese Beqiragiqi dhe Trepça duhet të përballen me arrën e fortë të quajtur Golden Eagle Ylli në krye me Petar Mijoviq, me ardhjen e të cilit Ylli përjetoj rilindje totale dhe po shfaq basketboll fenomenal.
Pas shkarkimit të grekut Flevarakis, Ylli filloi të shndrit dhe në pjesën e rregullt nën komandën e Mijoviqit shënoi 8 fitore e 1 humbje, në Kupë 1 fitore e 1 humbje, në Ligën Unike 2 fitore e 1 humbje kurse në Play Off nga 10 ndeshjet e zhvilluara eliminoi Bashkimin me 2:0, Pejën pas gjysmëfinales fantastike dhe dramatike me 3:2 dhe në finale aktualisht ka 2 fitore e 2 humbje me total prej 7 fitoreve dhe 4 humbjeve.
Nëse i mbledhim të gjitha, nga 4 Shkurti kur mori udhëheqjen e Golden Eagle Yllit, Mijoviq zhvilloi 24 ndeshje dhe nën komandën e tij Ylli arriti 18 fitore e 6 humbje
Pra, shumë simbolika e shumë statistika por kush do t’i kurrorëzoj këto me titull kampioni , Beqiragiqi apo Mijoviqi, mbetet të shitet të enjten mbrëma nga ora 19:00.
Komentet janë të mbyllura.