PËRFUNDON TURNEU I GJILANIT: “AIR FORCE ONE” KAMPION, “PRO ENG PËRLEPNICA” PËRFAQËSUESE E GJILANIT NË SUPER-FINALE!
– Ka përfunduar edhe dita e katërt e tour-it jubilar të Streetball Kosova 2019, që sot për ndalesë kishte qytetin e Gjilanit(06).
Kjo garë që nisi me telashe, për faktin se u desh të ndërrohej lokacioni, nga teatri i qytetit, për tek fusha e hapur në Gavran, për shkak të disa problemeve teknike, por pa fajin tonë u përmbyll me fitues të vendit të parë “AIR FORCE ONE”.
Në garën e sotme të Gjilanit, interesimi i ekipeve nuk ishte në nivelin e pritur, për shkak të ndërrimit të lokacionit, por gara shkoi shumë këndshëm me 6 ekipet: Air Force One, Ballers, KB Prishtina 3×3, Nice, Pro Eng Përlepnica dhe Xixëllonjat.
Në këtë turne, ekipet u ndanë në dy grupe, A dhe B, të cilat kishin nga tre ekipe. Ndërsa dy ekipe nga grupi A dhe dhe dy nga grupi B, arritën në gjysmëfinale të kësaj gare.
Në grupin A, Air Force One me dy fitore nga po aq ndeshje të luajtura, pa telashe kaloi në gjysmëfinale të garës. Përderisa, Pro Eng Përlepnica nga dy ndeshje të luajtura, arriti një fitore e një humbje. Ndërsa, Xixëllonjat nga dy ndeshje të luajtura pësuan dy disfata.
Në anën tjetër, tek grupi B, Nice realizoi dy fitore nga dy ndeshje të luajtura dhe arriti në gjysmëfinale. Ndërsa, KB Prishtina 3×3 luajti dy ndeshje, prej të cilave arriti një fitore dhe pësoi një humbje. Dhe pa fitore në këtë grup mbetën ekipi i Ballers që pësuan dy disfata nga po aq ndeshje sa luajtën.
Pas fazës së grupeve, u përcaktuan edhe gjysmëfinalistët e garës së Gjilanit, që ishte një garë tejet interesante dhe solli numër solid të shikuesve.
Në gjysmëfinalen e parë u ndeshën, Air Force One me ekipin e Nice. Që të dyja skuadra kualitative, por përvoja e Air Force One që njëherazit janë edhe reprezentues të Kosovës, bëri që ta fitonin ndeshjen ndaj Nice, 18-12. Dhe kështu Air Force One kaloi në finale.
E në gjysmëfinalen e dytë, luajtën Prishtina 3×3 dhe Pro Eng Përlepnica në një ndeshje që ishte shumë interesante dhe që në kohën e rregullt nuk solli fitues(13-13), ndërsa në vazhdime fitoi minimalisht skuadra e Pro Eng Përlepnica 13-14, duke kaluar në finalen e Gjilanit.
Pas dy ndeshjeve gjysmë finale u mësuan edhe dy finalistët e Gjilanit.
AIR FORCE ONE – Në një anë me Altin Sahitin, Arti Hajdarin, Arian Memetin dhe Albatrit Berishën.
PRO ENG PËRLEPNICA – Në përbërje me gjigantin gjilanas, Fisnik Mehmeti, Besfort Fazliun, Florian Krasniqin dhe Leotrim Bajramin.
Në finale, nuk kishte kush e di sa histori. Air Force One, shfrytëzoi përvojën, teknikën dhe shkathësitë, përderisa Pro Eng Përlepnica nuk arrinte ta gjente veten në finale dhe në fund fitorja i takoi ekipit të Air Force One 14-9, për ta fituar finalen e Gjilanit.
Por, nuk përfundon me kaq. Përkundër humbjes “PRO ENG PËRLEPNICA” janë kampionë të garës së Gjilanit për faktin se “AIR FORCE ONE” fituan edhe në turneun e Gjakovës dhe nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë dy qytete në super-finalen e Prishtinës. Pra, “PRO ENG PËRLEPNICA” që janë nën-kampionë të Gjilanit do të jenë në SUPER-SUPER finalen e madhe të Prishtinës.
Duhet cekur se “AIR FORCE ONE” për të tretën herë rrëmben kurorën e më të mirëve në kuadër të turneut të Streetball Kosova(2019) nëpër qytetet e Kosovës(Gjakovë, Ferizaj, Gjilan). Dhe në finale do ta përfaqësojë vetëm Gjakovën.
Për fund një falenderim i veçantë edhe për Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Gjilan që na përkrahën me organizim në çdo hap në qytetin e Gjilanit. FALEMINDERIT.
Shihemi nesër në MITROVICË.
Komentet janë të mbyllura.