FBK: Elezaj e refuzoi Kosovën, arritëm marrëveshje me TBF-në
Prishtinë(AsistiOnline) – Para një jave u konfirmua lajmi se basketbollisti i lindur dhe rritur në Kosovë, por që prej vitesh luan në Turqi, Rrezon Elezaj ka marrë nënshtetësinë e shtetit turk dhe do të paraqitet për këtë Kombëtare.
Lojtari tashmë ka debutuar me Kombëtaren e Turqisë në Kampionatin Botëror U17, i cili po mbahet pikërisht në Turqi, e zgjedhja e Rrezonit për ta përfaqësuar Turqinë, në vendin tonë është përcjellur me komente të ndryshme, qofshin ato pozitive apo negative.
Lidhur me këtë çështje AsistiOnline.com ka kontaktuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovë dhe menagjeri i Përfaqësueses së Kosovës, Adriatik Rraci ka rrëfyer versionin zyrtar të tyre, duke theksuar fillimisht se lojtari nuk ka dashur që ta përfaqësojë Kosovën.
”Ashtu siç e dini lojtari në fjalë ka më shume se 2 vite prej se iu është bashkuar klubit të basketbollit Beshiktash në Turqi dhe që nga atëherë karrierën e tij e ka zhvilluar atje edhe pse nuk ka pasur mundësi të zhvillojë ndeshje zyrtare deri në marrjen e pasaportës së Turqisë. Duhet cekur se lojtari ne fjalë ka qenë pjesë e Qendrës Nacionale e cila ka operuar në kuadër të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe nga aty është larguar drejt Turqisë. Rrezon Elezaj, që nga viti 2022 e deri më 2024, për tri vite me radhë ka qenë i ftuar ta përfaqësojë Kosovën: Në vitet 2022 dhe 2023 në gjeneratën U16, ndërsa këtë vit për gjeneratën U18. Megjithatë, për shkak të situatës së tij në Turqi, lojtari nuk ka pranuar të paraqitet për përfaqësuesen e Kosovës”, shprehet fillimisht Rraci.
Ai thotë se FBK ka qenë shumë e interesuar që Elezaj të luajë me Kosovën, porse familja e lojtarit dhe lojtari kanë vendosur të zgjedhin Turqinë e në ndërkohë Federata e Basketbollit të Turqisë (TFB), bëri kërkesë zyrtare tek ta dhe deklarimin e lojtarit se ka vendosur të luajë për Turqinë. Rraci shton se lidhur me këtë kërkesë, FBK-ja vendosi që të mos krijojë pengesa tek zhvillimi i karrierës së lojtarit dhe ceku faktin se Federata Turke ofroi edhe disa benifite për FBK-në me rastin e kësaj marrëveshje.
”Ne si FBK në përgjithësi kemi qenë shumë të interesuar që lojtari Rrezon Elezaj ta përfaqësoj shtetin e Kosovës, personalisht jam takuar me prindin e lojtarit në (3-4 raste) dhe kam kuptuar se për shkak të zhvillimit të tij si lojtar, ata kanë vendosur që të zgjedhin përfaqësuesen e Turqisë. Ndërkohë, ka ardhur kërkesa nga Federata e Turqisë e bashkangjitur me deklarimin se lojtari ka vendosur të luajë për Turqinë. Këtë kërkesë e kemi analizuar dhe në marrëveshje me Federatën Turke dhe duke respektuar vullnetin e familjes Elezaj, kemi vendosur që mos të krijojmë pengesa të mëtejshme sidomos duhet cekur duke mos dashur ta pengojmë zhvillimin e karrierës se lojtarit. Duhet cekur se paraprakisht Federata Turke e Basketbollit ka ofruar bashkëpunim të plotë ndaj nesh duke liruar dy lojtarë të lindur në Turqi: Arda Mert Cavusoglu, i cili do të paraqitet me përfaqësuesen U18 këtë vit dhe Halim Yildirim në përfaqësuesen U16 (lojtar i cili ka qenë po ashtu i ftuar në Përfaqësuesen U16 të Turqisë këtë vit)”, thotë Rraci.
Rraci shtoi se në dokumentacionin e nënshkruar, Elezaj mund të ri-deklarohet që të luajë për Kosovën deri në moshën 23 vjeçare, pa asnjë penalizim nga Federata e Basketbollit të Turqisë. Ai ka përmendur edhe basketbollistin tjetër nga Kosova, Edin Bacevac i cili ishte pjesë e FBK-së dhe Qendrës Nacionale e që FIBA, ia ka refuzuar Turqisë kërkesën për natyralizim, për shkak se lojtari më herët është paraqitur me Kosovën.
”Poashtu, Federata Turke ka ofruar mundësinë e avancimit të trajnerëve dhe menaxherëve të klubeve kosovare për tri vitet e ardhshme. Rrezon Elezaj nuk është paraqitur më herët për Kosovën dhe do të ishte pothuajse e pamundur që të ndërmarrim masa të tjera për të mos e lejuar. Aq më shumë, po e përsëris, se vullneti i lojtarit dhe familjes ka qenë që të paraqitet për kombëtaren e Turqisë, mirëpo në dokumentacionin e nënshkruar lojtari në fjale në bazë të rregullave të FIBA-s mund të ri-deklarohet që të luajë për Kosovën deri në moshën 23 vjeçare dhe pa asnjë penalizim nga Federata e Basketbollit të Turqisë. Njësoj nuk ka ndodhur me lojtarin tjetër të Klubit të Basketbollit Beshiktash Edin Bacevac i cili njësoj sikurse Rrezoni ishte larguar nga Qendra Nacionale e Basketbollit por të cilit, FIBA ia ka refuzuar Turqisë për shkak se lojtari është paraqitur më herët për Kosovën në FIBA European Challengers 2021 në Prishtinë”, mbyll deklarimin Rraci.
AsistiOnline.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin në fjalë dhe paraqitjet e Elezaj me fanelën e Turqisë. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.