Vdes tragjikisht basketbollisti i njohur turk, Ilkan Karaman
Prishtinë(AsistiOnline) – Ish-basketbollisti i kombëtares turke, Ilkan Karaman ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti trafiku.
Sipas raportimeve të mediave turke, ish-basketbollisti i kombëtares turke dhe i shumë skuadrave të njohura, Ilkan Karaman ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në Datçë, një vend bregdetar në periferi të Turqisë.
Mësohet se Karaman ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një shofer i cili po e ngiste veturën në gjendje të dehur, teksa Karaman qëndronte në trotuar.
Karaman, i cili kishte shkuar në Datçë për pushime, po priste në anën tjetër të rrugës shokun e tij që po blinte karburante, teksa mjeti me shoferin e dehur e humbi kontrollin dhe u ngjit në trotuar. Mësohet se Karaman, i cili si pasojë e aksidentit mbeti i bllokuar poshtë veturës, ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ilkan Karaman u zhvillua si lojtar në Tofas. Ai më pas luajti për skuadrat e njohura turke: Fenerbahçe, Pinar Karşıyaka, Universiteti Acıbadem, Beşiktaş, Buyukçekmece, Petkim Spor, Yalovaspor , Manisa dhe së fundmi tek Çayırova.
Karaman ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit të Turqisë U20 në dy Kampionate Evropiane
Lojtari tashmë i ndjerë, gjithashtu ka qenë edhe pjesë e skuadrës së 12 ”gjigantëve” turq në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2013.
Vlen të ceket se Ilkan Karaman ka qenë mik i ngushtë i Kenan Spahiut dhe në verën e vitit 2019 së bashku kishin ardhur së bashku për vizitë në Kosovë dhe lojtari kishte shprehur simpati të madhe për njerëzit këtu. Atë kohë, Agoni me ASIST-in, patën realizuar edhe intervistë ekskluzive me të.
Shihni momentet e intervistës së Agonit me Karaman nga minuta 11:33, në videon e mëposhtme:
Komentet janë të mbyllura.