Basketboll

Trepça e fiton përsëri Superkupën

Trepça është triumfuese e Superkupës së Kosovës në basketboll.

Në finalen e zhvilluar në Prizren, mitrovicasit kanë fituar ndaj Sigal Prishtinës 73:89 (15:14, 19:26, 17:22, 22:27), ku me këtë sfidë edhe përfundoi turneu, që u zhvillua nga 7 shtatori, në qytetin e bukur dhe historik.

Ndeshja nisi e baraspeshuar, me çerekun e parë që përfundoi 15:14, derisa në periudhën e dytë, mitrovicasit ishin më të mirë, 19:26, derisa me lojë të ngjashme vazhdoi edhe në periodën e tretë, për tu shkëputur më shumë. Bardhekaltrit u munduan të rikthehen, por nuk ia arritën qëllimit dhe ‘Xehetarët’ mbrojtën trofeun e fituar vitin e kaluar, për të fituar në fund 73:89.

MVP i finales së Superkupës është shpallur Desmond Cambridge Jr, i cili e mbylli ndeshjen me 15 pikë, katër kërcime dhe dy asistime, çmim të cilin ia dorëzoi Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka ndarë trofeun për kapitenin e mitrovicasve, Anes Gashi.

Ndërkohë, medaljet e argjendta i kanë ndarë Shkëlzen Fetiu dhe Florian Miftari, derisa të arta Linda Shala dhe Artan Kurti.

Komentet janë të mbyllura.