Basketboll

Prishtina bindëse me transferet e reja, merr fitore të thellë ndaj Prizrenit

Sigal Prishtina u rikthye te fitoret, duke triumfuar në Prizren ndaj Proton Cable Prizrenit 85:101 (24:18, 20:30, 23:25, 18:28), në javën e 15-të të ProCredit Superligës.

Ndeshje shumë interesante u zhvillua në Prizren, ku të dy skuadrat nga fillimi luftuan për fitore.

Vendasit ishin më të mirë në çerekun e parë, ku kishin epërsi deri në dhjetë pikë, 21:11, derisa e fituan këtë pjesë 24:18. Megjithatë, prishtinasit u kundërpërgjigjën në periudhën e dytë, duke shkrirë dalëngadalë epërsinë dhe shkuan në pushim me rezultat 44:48.

Lojë më e baraspeshuar u zhvillua në periudhën e tretë, derisa shifrat pas 30 minutash ishin 67:73. Në dhjetë minutat e fundit, bardhekaltrit ruajtën dhe shtuan epërsinë për tu rikthyer te fitoret, 85:101.

Te vendasit u dalluan Lenzelle Smith JR me 24 pikë e tetë kërcime dhe Kwame Vaughn me 20 pikë e gjashtë asistime, derisa te mysafirët u dalluan Cory Reeves me 18 pikë e shtatë kërcime, Rashid Mahalbashiq debutoi me 15 pikë, pesë kërcime e katër asistime, derisa Jawachi Nzeakor kishte 19 pikë e shtatë kërcime.

Proton Cable Prizreni ka katër fitore e 11 humbje, ndërsa Sigal Prishtina shtatë fitore e tetë humbje.

Komentet janë të mbyllura.