Basketboll

Rifati reagon pas përfundimit të sezonit, thotë se do të krijojnë ekip të fortë

Ka përfunduar sezoni i basketbollit për skuadrën e Proton Cable Prizrenit që së paku zyrtarisht ka rënë në një kategori më poshtë në basketbollin kosovar.

Ishte ky një kapitull sfidues për trajnerin Arbnor Rifati, i cili përmes një postimi ka reflektuar mbi rrugëtimin e sivjetmë të klubit.

Pas shtatë viteve në elitën e basketbollit kosovar, Prizreni është detyruar të largohet nga Superliga, por trajneri Rifati vlerëson se skuadra ka qenë gjithmonë dinjitoze dhe konkurruese, pavarësisht vështirësive. Ai thekson se buxheti i limituar dhe mungesa e fatit sportiv nuk i kanë ndaluar të krijojnë një ekip që ka dhënë maksimumin dhe ka ofruar basketboll cilësor.

“Përkundër buxhetit jo të barabartë me skuadrat tjera dhe fatit jo të mirë sportiv, ne përsëri kemi arritur ta krijojmë një skuadër kompetitive që jemi prezantuar në mënyrë të dinjitetshme dhe me basketboll cilësor,” ka thënë Rifati.

Ai nënvizon se këtë sezon ka qenë i fokusuar në zhvillimin e të rinjve, të cilët sipas tij, kanë justifikuar besimin dhe janë një bazë e fortë për të ardhmen e basketbollit në Kosovë.

Në fund, Rifati ka falënderuar sponsorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke veçuar Proton Cable si sponsor gjeneral, si dhe Abi Group, Autopjesë Partner dhe Sigma. Ai ka theksuar se pavarësisht se në cilën ligë do të garojnë sezonin e ardhshëm, Prizreni do të rikthehet si një skuadër e fortë, duke paralajmëruar reforma për një vazhdimësi më të qëndrueshme.

“Ku do që do vendoset se ku do luajmë, ne konfirmojmë që kemi me qenë një super skuadër, por do bëjmë disa reforma për një vazhdimësi konsistente,” ka shtuar ai.

Në fund, ai ka uruar sukses për skuadrat që janë pjesë e Playoff-it dhe ka premtuar një rikthim më të fortë në edicionin e ardhshëm.

Komentet janë të mbyllura.