El Clasico e basketbollit kosovar rikthehet sonte në skenën e madhe të play-off-it
Gjysmëfinalja e shumëpritur ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës nis sonte në palestrën e zjarrtë “Minatori” në Mitrovicë, aty ku gjithmonë ndjehet pesha e historisë dhe rivalitetit sa herë këto dy skuadra përballen.
Seria gjysmëfinale do të zhvillohet në formatin “best-of-five”, që do të thotë se skuadra që arrin tri fitore kualifikohet për në finalen e madhe të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepça ka kaluar direkt në këtë fazë pasi e përfundoi sezonin e rregullt në vendin e dytë në tabelë, duke siguruar kështu një pushim të merituar dhe më shumë kohë për përgatitje.
Ndërkohë, Prishtina e kaloi me sukses çerekfinalen përballë Vëllaznimit, duke fituar 2-1 në seri dhe duke siguruar kështu vendin në gjysmëfinale.
Ndeshja e parë e kësaj serie zhvillohet sonte nga ora 19:00 në “Minatori”.
Përballje mes dy klubeve më të trofeshëm në historinë e basketbollit kosovar, në një seri që pritet të ofrojë intensitet të lartë dhe spektakël sportiv. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.