Basketboll

FBK e pranon gabimin e gjyqtarëve, por ia refuzon ankesën Prishtinës

Klubi i Prishtinës kishte paraqitur ankesë zyrtare pas ndeshjes së tretë gjysmëfinale kundër Trepçës, duke kontestuar një treshe të realizuar nga amerikani Tekele Cotton në fund të aksionit.

Sipas Prishtinës, gjuajtja e Cotton kishte ndodhur pas përfundimit të kohës së aksionit, dhe për këtë arsye nuk do të duhej të vlente. Klubi prishtinas e cilësoi këtë moment si vendimtar për rezultatin përfundimtar dhe e cilësoi si një padrejtësi të madhe, duke e quajtur madje “vjedhje klasike” nga ana e gjyqtarëve të huaj që referuan këtë sfidë.

Megjithatë, Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka refuzuar ankesën e Prishtinës. Në sqarimin e dhënë, Komisioni pranoi se treshja ishte shënuar pasi kishte përfunduar aksioni, por nënvizoi se, sipas rregullave aktuale, në atë situatë nuk lejohej ndihma nga pamjet e videoxhirimeve. Për pasojë, mbeti në fuqi vendimi fillestar i gjyqtarëve.

Ky vendim ka nxitur pakënaqësi te klubi prishtinas, i cili kërkon më shumë transparencë dhe drejtësi në vendimet gjyqësore, sidomos në ndeshje me peshë të madhe siç janë ato të plejofit. /Koha.net

Komentet janë të mbyllura.