Komisioni i Ankesave dhe Arbitrazhit që vepron në kuadër të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka marrë vendim përfundimtar lidhur me ankesën e KB Vëllaznimi, duke e refuzuar atë si të pabazuar dhe duke lënë në fuqi renditjen përfundimtare të edicionit 2025/26.
Vendimi i Komisionit (në përbërje Korab Sejdiu, Lulzim Fushtica, Partin Pruthi), është marrë më 11 prill, siç shkruan aty, pas shqyrtimit të argumenteve të paraqitura nga klubi gjakovar, i cili kishte kontestuar mënyrën e renditjes tabelare dhe rënien nga ProCredit Superliga.
Megjithëse ankesa është konsideruar e pranueshme në aspekt procedural, Komisioni ka vlerësuar se kërkesa e Vëllaznimit për të aplikuar vetëm një nen të Propozicioneve të Garave nuk qëndron, pasi një interpretim i tillë bie ndesh me Rregullat Zyrtare të Basketbollit nga FIBA.
Sipas këtij Komisioni, në raste të tilla zbatohet hierarkia e normave, ku në rast kundërthënieje, përparësi kanë rregullat ndërkombëtare, konkretisht ato të FIBA, të cilat janë obligative për federatat anëtare.
Komisioni ka sqaruar se kriteret për renditje në rast të pikëve të barabarta janë të përcaktuara qartë në Shtojcën D të Rregullave Zyrtare dhe janë aplikuar drejt nga Komisioni i Garave.
Po ashtu, janë hedhur poshtë pretendimet e klubit lidhur me interpretimin e Ligjit për Sport dhe referencat në praktikat e Court of Arbitration for Sport, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të papërshtatshme për rastin konkret.
Në përfundim, ky komision ka vërtetuar vendimin e Komisionit të Garave, duke konfirmuar se Vëllaznimi bie nga Superliga dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.
Sipas njoftimit të komisionit, vendimi është final brenda FBK-së, ndërsa palët kanë të drejtë ankese vetëm në instancat ndërkombëtare ose në gjykatat kompetente. /AsistiOnline.com/
Në vijim e gjeni të plotë vendimin e këtij Komisioni:
Vendimit i Komisionit të Ankesave dhe Arbitrazhit, në kuadër të FBK-së
Të kujtojmë se para dy ditëve, klubi i Vëllaznimit bëri ankesë zyrtare drejtuar këtij organi përbrenda FBK-së.
Derisa kishim edhe një reagim të Rahovecit 029, si klub i përfshirë në këtë ankesë.



