Basketboll

PROFILI I KB BASHKIMI: SI PËRFUNDOI STINORI I FUNDIT, SYNIMET PËR TË ARDHMEN

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Bashkimit nga Prizreni, është ekipi i radhës që do të profilizohet në formë analize nga AsistiOnline, para stinorit të ri në elitë

Skuadra e Bashkimit është ekipi më i vjetër në historinë e basketbollit kosovar dhe kjo bën që prizrenasit të jenë njëra ndër ekipet më me përvojë në basketbollin tonë.

Përkundër se është skuadër e formuar qysh moti, Bashkimi nuk është se ka trofe të shumtë në sirtarët e klubit, porse çdoherë ka qenë në mesin e ekipeve më të mira në vend. Prizrenasit sikurse vitin e kaluar edhe sivjet, po përballen me disa borxhe të trashëguara dhe kjo po ju bën probleme në krijimin e një skuadre të denjë që synim ka titujt.

Bashkimi para dy vitesh ishte shpallur Kampion i Kosovës, për herë të parë pas lufte. Përderisa stinorin e kaluar e mbylli në gjysmëfinale të “Play Off”-it, ku u mposhtë nga Sigal Prishtina 3-0 në seri. Ndërsa prizrenasit edhe sivjet nuk është se kanë ndonjë synim madhorë.

Rosteri i prizrenasve, për dallim nga ai i stinorit të kaluar ka ndryshuar deri diku.

Shtabi teknik sivjet do të udhëhiqet nga trajneri vendorë, Illmen Bajra. Për dallim nga viti i kaluar që ishte kroati Jeronimo Sarin.

Stinorin e shkuar Bashkimi kishte këta lojtarë: Drilon Hajrizi, Gazzali Makasqi, Ujkan Karanezi, Hajriz Hazer, Ylli Gashi, Qëndrim Biraj, Mike Martin, Steven Haney, Jordan Capps, Lamar Wofford, Ensar Muriqi, Somel Shaqiri, Elvan Iljazi, Idoll Pallushi.

Ndërsa Bashkimi sivjet përbëhet nga: Musab Mala, Ujkan Karanezi, Qëndrim Biraj, Idoll Pallushi, Gazzali Makasqi, Elvan Iljazi, Altin Gashi, Ylli Gashi, Terik Bridgeman, Corey Ross dhe pritet të ketë edhe afrime të tjera me lojtarë të huaj.

Kryetrajneri i ekipit prizrenas, Illmen Bajra në një prononcim për AsistiOnline, ka folur në lidhje me përgatitjet, ardhjet e reja si dhe synimet e Bashkimit për stinorin e ri.

“Jemi në fazën finale të përgatitjeve para fillimit të edicionit, deri më tani përgaditjet kanë shkuar mirë. Sa i përket ardhjeve të reja, do te kete ende përforcime të huaja në klub. Bashkimi gjithmonë ka qenë një ekip stabil dhe kundërshtar i denjë për çdo ekip edhe pse përkundër problemeve financiare në këtë sezonë besoj se Bashkimi do të jetë aty ku e ka vendin”, mbylli prononcimin për Asistin, Bajra.

Komentet janë të mbyllura.