PARAQITJET E KOSOVARËVE NËPËR LIGAT EVROPIANE NË XHIRON E FUNDIT
AsistiOnline.com vazhdon të ju sjellë ekskluzivisht përmbledhje të paraqitjeve të lojtarëve kosovarë apo me prejardhje kosovare nëpër ligat e huaja Evropiane gjatë këtij vikendi që shkoi.
Edhe këtë javë e fillojmë me dy lojtarët e Përfaqësueses kosovare, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati.
Therandasi, Gëzim Morina që luan me ekipin e Hopsi Polzeza në elitë e basketbollit sllovenë, për 22 minuta lojë në parket, ka shënuar 8 pikë, 3 kërcime e 2 asistime.
Ndërsa basketbollisti prishtinas, Erjon Kastrati me ekipin e tij, Egis Kormend në elitën hungareze, këtë xhiro për 20 minuta lojë ka realizuar 3 pikë 4 kërcime dhe 1 ASIST.
Performancë të shkëlqyer edhe këtë javë ka arritur basketbollisti me prejardhje kosovare, Edon Maxhuni që luan në Spanjë me Gran Canarian. Maxhuni me Gran Canaria B, përsëri ka qenë lojtari më efikas i ekipit të tij, ku për 30 minuta lojë ka arritur 18 pikë, 4 kërcime si dhe ka shtuar 4 asistime dhe performanca e Edonit pas çdo xhiroje po shkon vetëm në ngritje.
Basketbollisti tjetër me prejardhje shqiptare, Kenan Spahiu që luan në Superligën Spanjolle me ekipin e Betisit, këtë xhiro për 20 minuta qëndrim në parket, ka realizuar 5 pikë, 2 kërcime e 4 asistime.
Një basketbollist tjetër me prejardhje kosovare, është edhe 19 vjeçari Jan Palokaj që ka lindur në Kroaci, por edhe ka luajtur për grupmoshat e reja të Kroacisë dhe sivjet po luan me ekipin e parë të Zadarit në elitën e Basketbollit të Kroacisë. Palokaj këtë vikend me Zadarin ka luajtur për 15 minuta, duke realizuar 8 pikë dhe duke shtuar 3 kërcime.
Një lojtar tjetër me prejardhje kosovare, është edhe Arber Berisha që luan me Gaziantepin në Superligën e Turqisë, 22 vjeçari këtë xhiro nuk ka pasur fatkeqësisht fare minutazhë nga trajneri.
Në anën tjetër, qendra-gjigante e Përfaqësueses së Kosovës, Lis Shoshi mbetet ende i lënduar dhe nuk e ka zhvilluar ende asnjë ndeshje me ekipin e ri nga Gjermania, S.Olivier Wurzburg.
Kjo listë e botuar ekskluzivisht nga AsistiOnline.com vlen vetëm për lojtarët seniorë që po luajnë me ekipet e tyre, të dhënat e lojtarëve janë nga java e fundit e zhvilluar dje e pardje.
Nëse keni informacione për lojtarë të tjerë që paraqiten me ekipe të ndryshme në Evropë dhe Botë, lirisht na kontaktoni në mesazhe dhe ne do të paraqesim informacione të përjavshme edhe për ta.
Komentet janë të mbyllura.