Basketboll

DY SFIDA INTERESANTE, PËRMBYLLIN XHIRON E MESJAVËS NË SUPERLIGË

Prishtinë(AsistiOnline) – Ditën e djeshme ka nisur xhiro e nëntë e Superligës së Kosovës në Basketbollin tonë.

Dje është zhvilluar vetëm një takim, përderisa sonte zhvillohen edhe dy takime të tjera tejet interesante.

Sfida kryesore e sontme është ajo ndërmjet Pejës dhe Rahovecit, që zhvillohet të enjten në palestrën ‘Karagaçi’. Vreshtarët janë liderë të Superligës me gjashtë fitore dhe një humbje, kurse pejanët kanë katër fitore dhe tre humbje. Fitorja e fundit e pejanëve ishte në sekondat e fundit ndaj Yllit të dielën.

Peja-Rahoveci takohen për herë të parë në Superligë, derisa këtë edicion ishin ballafaquar edhe në Ligën Ballkanike, ku kishin triumfuar pejanët.

Sfida tjetër që zhvillohet sonte është ndërmjet Feronikelit dhe Bashkimit. Dy skuadrat janë në formë, ku Feronikeli ka tre fitore dhe katër humbje, derisa Bashkimi ka pesë fitore dhe dy humbje. Skuadra nga Drenasi ka pasur ngritje të formës në xhirot e fundit, kurse prizrenasit së fundi arritën të mposhtin Sigal Prishtinën.

Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli zhvillohet në një termin tjetër për shkak se, prishtinasit luajnë në FIBA Europe Cup.

Komentet janë të mbyllura.