Basketboll

5 HERË KAMPIONIA E EVROPËS SHPËTOI PËRPAK

Pesë herë kampionia e Evropës në basketboll, Palacanestro Varese i ka shpëtuar për pak disfatës në Prishtinë që do të ishte sensacioni i vitit në garat e FIBA Europe Cup.

Përkundër faktit se në minutën e 33-të të ndeshjes, skuadra e famshme italiane ishte në minus prej 10 pikëve, ajo arriti të mbijetoi ofensivën prishtinase dhe të kthehet në shtëpi me fitore me rezultat të ngushtë 80:77.

Ishte kjo një mbrëmje magjike dhe historike e basketbollit kosovar, në një ambient fantastik dhe atmosferë të mrekullueshme të krijuar nga publiku prishtinas, për të cilin tashmë po flet e tërë Evropa. Pak kush kishte besuar se djelmoshat të cilët tashmë kanë shkruar historinë duke u kualifikuar në TOP 16, të udhëhequr nga strategu Damir Mullaomeroviqi do të na përgatisin edhe një dramë dhe ndeshje për infarkt ku nuancat vendosën që fitorja të shkoi në Itali.

Loja fantastike e Dardan Berishës  dhe Divine Milesit të cilët së bashku shënuan më shumë se gjysmën e pikëve të Prishtinës, pastaj zemra e madhe dhe shpirti luftarak i Edo Azemit dhe Mikail Tmusiqit, si dhe nata e shkëlqyeshme e Bashirit , na bënë krenar dhe nga skepticizmi i madh që e patëm para lojës kur disfata nga 5 herë kampionia evropiane me më pak se 10 pikë dallim do të konsiderohej sukses, këta djelmosha që me përpikëri zbatuan taktikën brilante të Damir Mullaomeroviqit dhe skautit të tij Andin Rashicës, na bënë ta ndiejmë një lloj boshllëku në fund, pasi nuk e fituam këtë duel. Por, si thamë më herët , një lojë tejet agresive në mbrojtje dhe dëshira që të luftohet me zemër për çdo top e mbështetur nga energjia e papërshkueshme e cila vinte nga tribunat e stërmbushura të palestrës që ishte 4 herë me e vogël se sa kishte kërkesa për bileta, ka bërë që kjo ndeshje të hy në anale të basketbollit kosovar dhe të jetë kryelajm në basketbollin evropian.

 

Mjafton vetëm ta lexoni këtë vlerësim

Nota :A minus (e shkëlqyeshme)

Njerëzit në Prishtinë mund të jenë krenar me klubin e tyre të basketbollit dhe klubi i basketbollit mund të jetë krenar me shikuesit e vet që krijuan atmosferë e cila për pak përmbysi Varesen nga e cila frikësoheshin shumë.

 

Nga ana tjetër , përkundër fitores, shfaqja e Vareses u konsiderua si zhgënjyese

Nota:C (mezi kaluese). Varese fitoi dhe maksimumi që e morën është C?

Për një skuadër si Varese e cila konsiderohej si favorite për ta fituar titullin e kësaj gare, të sigurosh fitoren në çastet e fundit të duelit në Prishtinë nuk është aspak pasqyre e mirë.

Dhe mendojmë se ky vlerësim mjafton për të pasqyruar atë që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në Prishtinë

Sidoqoftë, Varese u kthye në shtëpi me fitore ndërsa pa dyshim se më i merituari për këtë ishte alo amerikane, Dominichue Archie  i cili shënoi 22 pikë e 7 kërcime dhe në 13 minutat e fundit të duelit luajti me 4 gabime personale. Për më tepër, Archie ishte një nga dy lojtarët kryesor që morën përgjegjësin për ta udhëhequr Varesen në 7 minutat e fundit të lojës, gjatë përmbysjes së disavantazhit dhe sigurimit të fitores së ngushtë.

Lojë të mirë në kte duel bëri edhe aloja tjetër e huaj, britaniko-kanadezi Tomas Scrubb i cili përpak nuk realizoi double double dhe duelin e përmbylli me 10 pikë e 8 kërcime ndërsa edhe dy reprezentues të shteteve të tyre, shtuan pikë dyshifrore. Bashkëlojtari i Boukichout në kombëtaren belge, Jean Salumu realizoi 13 pikë ndërsa serbi Aleksa Avramoviq shënoi 11 pikë, 3 kërcime e 3 asistime. Por, faktori befasues dhe ai i cili mbajti gjallë italianët, ishte fundori Mateo Tambone i cili shënoi tri treshe në çaste vendimtare.

Nga ana tjetër, dyshja e fundorëve Berisha-Miles  shënoi 39 nga 77 pikët e kaltër e bardhëve. Edhe një herë me radhë, lider tek prishtinasit ishte Dardan Berisha me 21 pikë, 3 kërcime e 3 asistime kurse lojë të shkëlqyeshme në kte duel pati Divine Miles që realizoi 18 pikë. Megjithatë , sipas kontributit në lojë, valorizimin më të madh e pati Ahmed Bashir i cili për pak nuk shënoi double double. Ai e përmbylli duelin me 11 pikë e 8 kërcime dhe vodhi 2 topa .

Sa i përket krahasimeve të ekipeve, elementet ku mysafirët dominuan ishin kërcimet dhe asistimet dhe kjo ishte vendimtare në këtë duel. Varese pati 45 kërcime përkundër 34 kërcimeve të kaltër e bardhëve ndërsa dallimi në asistime ishte shumë i madh: mysafirët nga Italia realizuan 23 asistime përkundër vetëm 7 të djelmoshave tanë.

Vet rrjedha e ndeshjes ishte tejet interesante dhe dramatike ku fillimi i ndeshjes i takoi mysafirëve të cilët, duke i falënderuar mbrojtjes tejet agresive dhe kundërsulmeve të shpejta por edhe tre tresheve rresht të Avramoviqit, Salumut  dhe Moore-it, si dhe ngulitjes së lojtarit kryesor të ekipit, Dominichue Archiet , realizuan seri prej 11 me 2 duke krijuar avantazh prej 10 pikëve (6:16) e cila deri në fund shkoi në plus 13, 12 me 25.

Kur të gjithë menduan se në vazhdim italianët do të shkelin Prishtinën, ndodhi e kundërta. Mbrojtja tejet agresive e Tmusiqit dhe Edo Azemit, pastaj loja më e pjekur dhe më e mirë e Dardan Berishës si dhe shënimet e Majlsit, bënë që italianët të hutohen dhe në fund të pjesës së parë, pas kësaj tresheje të Tmusiqit rezultati i u ngushtua në 32 me 37.   Në këtë çerek, prishtinasit u revanshuan me mbrojtje dhe kësaj radhe ishin italianët ata që realizuan vetëm 12 pikë ndërsa ZMobile Prishtina 20.

Frika se, pas kthimit nga pushimi, Varese do të ndërmerr ofensivë e cila do të shkatërronte kte ndeshje u dëshmua të jetë e pa bazë sepse kaltër e bardhët e udhëhequr nga strategu i mrekullueshëm Damir Mullaomeroviqi, bënë të kundërtën.

Prishtinasit ishin ata që shtuan agresivitetin në mbrojtje duke i mbyllur për mrekulli korridoret e depërtimit, duke mos lejuar gjuajtje të lehta për tri pikë dhe duke i bllokuar lojtarët e Vareses në kërcime nën kosh. Nga ana tjetër të udhëhequr me 8 pikët e njëpasnjëshme të Milesit dhe pas kësaj tresheje të Dardanit, kaltër e bardhët realizuan seri prej 11 me 4, duke anuluar plotësisht minusin dhe dolën në epërsi prej 43:41.

Këtë lojë të shkëlqyeshme, prishtinasit e vazhduan deri në fund të çerekut të tretë duke befasuar jo vetëm të shikuesit por edhe vet strategun italian Atilio Caja-në i cili nuk kishte përgjigje për strategjinë e Mullaomeroviqit dhe lojën fenomenale të Dardanit që realizoi 10 pikë, prej tyre dy treshe. Milesit në këtë çerek shënoi 8 pikë duke përfshirë një treshe kurse në nivel të detyrës edhe nj herë ishte kapiteni Edo Azemi që ishte 100% i saktë për treshe dhe nga gjuajtjet e lira duke realizuar 5 pikë, pa huq asnjëherë. Në fund, totali pas 30 minutave ishte 60:52

Fillimi i çerekut të katërt ishte i niveluar dhe skuadrat shkonin kosh për kosh deri në momentin kur Rodney Bullock  depërtoi,e shënoi  dhe u ndal në mënyrë të palejuar duke realizuar edhe gjuajtjen e lirë, për t’i dhënë Z Mobile Prishtinës epërsinë maksimale prej 10 pikëve (68:58), ndërsa kishin mbetur edhe 7 minuta e 40 sekonda deri në fund.

Nga ky çast fillon drama në kte duel dhe rikthimi i italianëve të udhëhequr nga lojtari më i mirë i skuadrës, Dominik Archie i cili për plot 13 minuta luajti me 4 gabime personale ndërsa në çerekun vendimtar ishte i pandalshëm në sulm dhe realizoi  9 pikë.

Megjithatë, faktori X apo faktori befasues ishte fundori italian Matteo Tambone i cili realizoi dy treshe në çastet më të rëndësishme kur prishtinasit niseshin në ofensivë për t’u shkëputur në rezultat por Tambone me shënimet e trepikëshave e mbante Varesen në lojë , kurse treshja e dytë e tij e barazoi rezultatin në 72 me 72, ndërsa kishin mbetur edhe 4 minuta e 31 sekonda lojë. Pas shënimit të gjuajtjes së lirë të Denis Krestininit për 77:74 që njëherësh doli të jetë pika e fundit e prishtinasve në këtë duel, Varese shtrëngoi maksimalisht mbrojtjen dhe në 2 minuta e 44 sekondat e fundit të duelit, italianët nuk pranuan asnjë pikë dhe në anën tjetër realizuan seri prej 6:0 përmes Avramoviqit i cili porsa hyri në lojë, sikurse hije u përvodh nga krahu i djathtë dhe shënoi për 77:76. Serinë e vazhdoi Archie me shënim nën kosh, pas asistimi të Scrubbit  për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi minimale 77:78.

15,9 sekonda pa përfunduar ndeshja, Prishtina rivuri topin në lojë, Dardani i cili përball kishte Archien, vendosi të depërtoi por në mbrojtje Moore dhe Scrubb e mbyllën korridorin dhe bllokuan Dardanin i cili në pamundësi për të gjuajtur, tentoi të pasoi tek Edo Azemi i cili nuk arriti ta pranoi topin dhe rasti i fundit shkoi huq.

Në sulmin e radhës, fundori belg Salumu u ndal në mënyrë të palejuar dhe pikët vendimtare i realizoi nga gjuajtjet e lira për 77:80 kurse tentimi i fundit i Dardan Berishës nga 17 metra nuk e gjeti cakun dhe kështu, gjiganti i basketbollit italian dhe evropian, Palacanestro Varese i mbijetoj ofensivës prishtinase duke u kthyer në shtëpi me fitore, me shumë më tepër mund dhe siklet se sa kishte paramenduar.

Pak më shumë fat dhe koncentrim në fund të lojës dhe kaltër e bardhët do ta kishin bërën sensacionin më të madh në basketbollin evropian viteve të fundit, duke mposhtur 5 kampionen e Evropës dhe 10 herë kampionen e Italisë

Krejt në fund, ishte kjo edhe një festë dhe natë e paharrueshme dhe magjike basketbollistike në Palestrën e Sporteve në Prishtinë për të cilën foli e tërë Evropa dhe të cilën mbarë bota pati mundësi ta përcjell direkt dhe ekskluzivisht në ARTMOTION, platformën e cila po bënë revolucion në basketbollin e vendit tonë.

Se këto nuk janë vetëm fjalë, më së miri e dëshmon fakti se, në natën kur po zhvilloheshin ndeshjet e Ligës së Kampionëve, fokusi i shqiptarëve kudo që ishin, në Kosovë, Evropë apo Amerikë ishte në Artmotion dhe Klan Kosova dhe duelin Z Mobile Prishtina – Palacanestro Varese. Për më tepër, fakti se për 3000 bileta kishte 11mijë kërkesa dhe se me qindra dhe mija njerëz kishin mbetur jashtë pa e shikuar duelin, është treguesi më i mirë se çka po ndodh me basketbollin në vendin tonë.

Ishte kënaqësi e pa përshkueshme të jesh të mërkurën e 6 Marsit 2019 në Palestrën e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kte atmosferë të paharrueshme dhe natyrisht pranë ekranit në Artmotion dhe Klan Kosova, ku edhe një herë rresht u shkrua historia. Dhe ky është vetëm fillimi sepse gjërat e bukura po vijnë…dalëngadalë!

Komentet janë të mbyllura.