ISH-BASKETBOLLISTI KOSOVAR BESIM MAXHUNI, TASHMË TRAJNER DHE SKAUT I SUKSESSHËM NË FINLANDË
Prishtinë (AsistiOnline) – AsistiOnline ju sjellë një storie të veçantë të ish-basketbollistit kosovar, tash trajnerit dhe skautit shumë të suksesshëm në një shtet skandinav, konkretisht në Finlandë.
Besim Maxhuni, ish-basketbolisti i Trepçës dhe Prishtinës me të cilën ka fituar titullin e parë të kampionit të Kosovës në vitin 1992, në edicionin e parë të basketbolit të pavarur kosovar, pas largimit të tij nga Kosova gjatë viteve të 90’ta, karrierën e pati vazhduar në Finlandë si lojatr por edhe iu kishte përkushtuar zejës së trajnerit ndërsa pas luftës shkurtimisht ishte kthyer në Kosovë në edicionin 2001/2002, në MEB Prishtinë.
Atë edicion, së bashku me bashkëlojtarët Aleksandër Damon, Edmond Azemin, Blerand Stavilecin, Florian Miftarin, Edis Kurajën dhe tjerët, nën dirigjimin e Qedomir Qiro Perinqiqit kishte fituar titullin e Kampionit të Kosovës, të parin pë ekipin prishtinas pas plot një dekade dhe me këtë i kisht dhënë fund karrierës së basketbollit për t’u kthyer sërish në Finland, ku tash e 16 vjet jeton dhe punon pandërprerë. si trajner i suksesshëm i klubeve dhe kombëtareve të Finlandës për femra ndërsa, së fundmi është angazhuar si skaut (vëzhgues) i njërës prej agjencive më të njohura të basketbollistëve në Botë, Enter Sport me seli në Milano e cila ka pasur dhe ka në menagjim super-yje të basketbollit në NBA dhe Euroligë, ndër tjerë edhe tashmë të pensionuarin , Vlade Divac të Los Angeles Lakers dhe Sacramento Kings.
Maxhuni, në disa sezone rresht udhëhoqi ekipet elitare seniore të basketbollit femror finlandez dhe së fundmi sukseset e tij janë kurorëzuar me trofe. Besim Maxhuni aktualisht udhëheq ekipin Hyvinkaa Ponteva të Superligës së Finlandës në Basketboll për femra .
Sivjet, Besimi me Hyvinkaan janë inkuadruar në ”Play Off” si lider pas stinorit të rregullt dhe aktualisht kanë arritur në gjysmë finale ku pësuan dusfatë para publikut të vet nga skuadra Lappeenranta në ndeshjen e parë.
”T’ju them të drejtën, jam shumë i kënaqur me ekipin që drejtoj aktualisht. Jemi të komponuar shumë mirë dhe shpresoj se, në qoftë se nuk ndodhin përsëri disa surpriza të paparashikueshme, do të jemi në finale dhe pastaj me angazhimin e të gjitha lojtareve do të stolisem për të dytën herë me titull kampioni, çka edhe pretendojmë. Edhe pse tash e 3 muaj nuk i kemi dy lojtaret kryesore të ekipit të cilat për shkak të lëndimeve kanë mbaruar sezonin para kohe, prapë se prapë, edhe pa to i kemi mbledhur forcat dhe kemi arritur qëllimet tona dhe tash mbetet të kalojmë edhe dy hapat e radhës për t’u stolisur me titullin e kampionit, por të shohim” tha Maxhuni.
Përkundër humbjes, Maxhuni është optimist se ekipi i drejtuar nga ai do ta eleminojë Lappeenrantan e cila ishte e pesta pas edicionit të rregullt dhe do të plasohet në finale të ”Play Off”-it të Superligës finlandeze..
Krejt në fund, ai foli edhe për angazhimin e tij në agjencinë e basketbollit ”Enter Sport’ nga Milano, ku po e ushtron detyrën e vëzhguesit (scout-it) i cili ka për obligim të gjej basketbollistë të rinj të talentuar, për t’i futur në menaxhim dhe për t’ju bërë vend nëpër ekipet e mëdha dhe serioze, në mbarë botën.
“Angazhimi im si skaut bëhet kryesisht për vendet Skandinave e Baltike, por edhe në Ballkan. Shpresoj se në një të ardhme të afërt do ta fus nën menaxhim të kësaj agjencie të famshme botërore edhe djalin tim Edonin” tha Besim Maxhuni.
Edon Maxhuni , i biri i tij i talentuar luan aktualisht për Long Beach State University në NCAA, në njërin prej kolegjeve më cilësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edoni përndryshe ka qenë vazhdimisht bartës i lojës së kombëtareve të Finlandës për grupmosha të reja U-14, U-16 , U-18 dhe U-20 dhe tash është reprezentues i Finlandës.
Besimi po ashtu tregoi se profesionin e ri të vëzhgimit dhe gjetjes së talentëve të rinj po e bën me shumë dëshirë dhe pasion, tash e një vit.
“Aktualisht kam arritur marrëveshje bashkëpunimi me 8 basketbollistë të rinj, konkretisht basketbollistë të gjeneratave të reja të kombëtares finlandeze ndërsa me kënaqësinë më të madhe do të kërkojë dhe do t’i ndihmojë edhe basketbollistët kosovarë. Natyrisht, emocionet janë emocione, dashuria për atdhe është një element determinues por basketbollsitë e rinj duhet të jenë të talentuar dhe të plotësojnë kriteret e agjencisë e cila është tejet profesionale ” tha Besim Maxhuni në fund të intervistës së tij ekskluzive për AsistiOnline ndërsa po përgatitet për duelin e rëndësishëm që skuadra e tij e zhvillon me Lappeenrantan, të mërkuren mbrëma.
AsistiOnline i dëshiron Besim Maxhunit fitore dhe sukses në këtë ndeshje dhe kualifikim në finale.
Komentet janë të mbyllura.