Në një atmosferë fantastike në “Sezai Surroi”, Prishtina ka kaluar në epërsi prej 2 me 1, në serinë finale të Play Off-it të basketbollit femëror, pasi e mposhti Bashkimin me rezultat 77:79.
Ishte kjo një ndeshje për infarkt dhe tejet dramatike ku pas 30 minutave lojë prishtinaset kishin epërsi prej 19 pikëve por vendaset nuk u dorëzuan dhe në çerekun vendimtar përpak nuk e bënë një rikthim sensacional dhe e fituan atë me 17 pikë epërsi, 30 me 13.
Në fakt, 21 sekonda pa përfunduar ndeshja pranë rezultatit 74 me 77, Meri Stjuart shënon kosh dhe ndalet në mënyrë të palejuar nga Saranda Daci, realizon edhe gjuajtjen e lirë dhe e barazon rezultatin në 77 me 77.
Në sulmin e radhës, Uillimas e Prishtinës faulohet nga Dea Qejku dhe 10 sekonda deri në fund realizon një nga 2 gjuajtjet e lira për 77 me 78.
Pas tajm autit dhe rivënies së topit Danisha Shau vendis të depërtoi por u bllokua nga Saranda Daci kurse Uilliams e cila e fitoi topin ndalet në mënyrë të palejuar nga Meri Stjuart, vetëm 2,3 sekonda pa përfunduar dueli.
Tykyra Uilliams huqi tentimin e parë dhe realizoi dy gjuajtjen e dytë të lirë për 77 me 79 ndërsa tentimin për depërtim të Danisha Shau e ndali Besiana Martinaj dhe prishtinaset ju gëzuan fitores së madhe në Prizren.
Në ktë fitore të rëndësishme 4 basketbolliste të Prishtinës realizuan pikë dyshifrore.
Më efikasja ishte Breannan Farrar me 22 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime ndërsa ishte e pandalshme gjatë depërtimeve të saja.
Lojë të shkëlqyeshme me double double prej 19 pikëve dhe 11 kërcimeve shfaqi Tykyra Uilliams ndërsa shumë afër dyshifrorit të dyfishtë ishte edhe Saranda Daci, të cilës i mungoi një kërcim. Ajo e përmbyll ndeshjen me 18 pikë e 9 kërcime.
Listën e lojtareve që realizuan pikë dyshifrore e përmbylli kapitenia, Irma Konjusha. Ajo shënoi 12 pikë dhe shtoi 6 asistime e 3 kërcime.
Nga ana tjetër, yll i mbrëmjes dhe basketbollistja që ka bërë ndoshta performancën më të mirë të këtij edicioni të basketbollit femëror në Kosovë ishte Danisha Shou që realizoi triple-double me shifra fantastike prej 33 pikëve, 12 kërcimeve dhe 11 asistimeve .
Me double – double ndeshjen e përfundoi edhe Mary Steëart e cila shënoi 21 pikë dhe kërceu 14 herë kurse , treshen e basketbollisteve të Bashkimit që realizuan pikë dyshifrore e përmbylli Ulpiana Emra.
Ulpiana luajti me 12 pikë, të gjitha nga gjuajtjet e sakta për 3 pikë.
Në 4 minutat e para të lojës të dy ekipet real;vizuan nga vetëm 2 pikë. Më pas prishtinaset ndërmorën seri prej 10 me 4 për të kaluar në epërsi prej 12 me 6 ndërsa deri në fund kjo epërsi u shtua në +7 për kryeqytetaset (11:18).
Në çerekun e dytë basketbollistet e Prishtinës sërish ishin më agresive në mbrojtje ndërsa konkretizuan edhe shumicën e sulmeve të tyre duke e mbyllur këtë 10-minutësh me 15:23 dhe pas 20 minutave lojë krijuan 15 pikë epërsi (26:41).
Në çerekun e tretë loja ishte më e balancuar megjithatë Prishtinaset sërish ishin më efikase se vendaset e Bashkimit, për 4 pikë, dhe pas 30 minutave lojë epërsia e tyre shkoi në 19 (47:66).
Kur u mendua se çereku i fundit do të jetë vetëm formalitet, ndodhi e kundërta.
Ndërsa kishin mbetur edhe 5 minuta deri në fund dhe Prishtina kishte 15 pikë epërsi (57:71), prizrenaset eksploduan dhe ishin të pandalshme.
Të udhëhequra me 11 pikët e Danisha Sho, basketbollistet e Bashkimit ndërmorën i seri prej 20 me 6 për ta barazuar rezultatin në 77 me 77.
Megjithatë, pas finishit dramatik prishtinaset mbijetuan stuhinë e Bashkimit dhe nga Sezai Surroi u kthyen me fitore të madhe.
Ndeshja e katërt finale do të zhvillohet të mërkurën mbrëma me fillim nga ora 19 në Prishtinë.
Fitorja eventuale e prishtinaseve do ta kthente titullin në kryeqytet pas 2 viteve në të kundërtën, Bashkimi do ta kërkojë titullin para publikut të vet, në ndeshjen e pestë eventuale, të shtunën e ardhshme
Komentet janë të mbyllura.