FENERBAHÇE 3 IN 1, KUALIFIKOHET TE VENDI

0

Prishtinë (AsistiOnline) – Fenerbahçe Beko, është bërë ekipi i dytë pas Real Madridit, që arrin gjysmëfinalen e garës më prestigjioze të basketbollit në Evropë, Euroliga.

Ekipi turk ka arritur që me fitoren e dytë rresht në Lituani, ndaj Zalgiris Kaunas të plasohet në gjysmëfinale të Euroligës ku e pret fituesin e duelit, Barcelona – Anadolu Efes.

Sa i përket duelit të sontëm që u zhvillua në  Žalgiris Arena (Kaunas), ekipi i teknikut Zhjelko Obradoviq qysh në periudhën e parë arriti një epërsi të lartë, duke mbyllur çerekun e parë 16-30. Ndërsa, në atë të dytë Zalgirisi tregoi një gjallëri duke shënuar 25 pikë dhe pranuar vetëm 19 sosh. Kjo bëri që pjesa e parë të mbyllet 41-49.

Çereku i tretë ishte më i barabartë për nga shënimet, por Fenerbahçe u tregua për tre pikë të arritura, më e saktë  dhe kjo periudhë u përmbyll 61-72. Në çerekun e fundit, ndeshja ishte më e baraspeshuar për kah pikët e shënuara, por Feneri nuk gaboi duke arritur fitore shumë të vlefshme në fund me rezultatin 82-99.

Pesë lojtarë arritën pikët dyshifrore në fitoren e Fenerbahçes sonte: Turku i natyralizuar, Ali Muhamed ishte perfekt sonte. Për 24 minuta sa qëndroi në parket, kontriboi me 25 pikë, 5/5 për tre, përderisa u dalluan edhe Kostas Slouskas me 15 pikë, Jan Veseley me 12 pikë, si dhe Erick Green e Marko Guduric realizuan nga 11 sosh.

Në anën tjetër, tek Zalgirisi dy amerikanët: Brandon Davies me 25 pikë e Nate Wolters me 18 pikë, ishin më të spikaturit. Por pa arritur ti siguronin fitore Zalgirisit.

Me këtë triumf, Fenerbahçe arrin gjysmëfinalen e radhës në Euroligë dhe kështu mbetet ndër favoritët kryesorë për ta fituar atë.