EDHE NJË TJETËR KAMPIONAT EVROPIAN PËR GRUPMOSHAT E REJA NË KOSOVË
Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur në Cologne të Gjermanisë në rendi të ditës i ka pasur edhe kandidaturat e shteteve anëtare të saj që kanë aplikuar për organizimin e Kampionateve Evropiane për gjeneratat U16, U18, U20 në të dyja konkurrencat (meshkuj dhe femra) dhe në të gjitha Divizionet, A, B dhe C.
Bordi i FIBA Evropës e ka miratuar kandidaturën e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për organizimin e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C.
FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni C do të mbahet prej 12 deri më 19 Korrik 2020 në Prishtinë dhe do të marrin pjesë 11 shtete: Kosova, Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Malta, Moldavia, Skocia, Gjibraltari, San Marino dhe Uellsi.
Numri një i basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu është shprehur i lumtur që për herë të tretë radhazi FIBA ia beson FBK-së organizimin e Kampionateve Evropiane.
Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së:
“Ky është një lajm shumë i mirë për basketbollin e Kosovës. Për vitin e tretë radhazi ne na jepet rasti që të dëshmohemi si organizator dhe ky është një vlerësim shumë pozitiv nga ana e FIBA-s. Ekipi i Kosovës do të jetë konkurrent i fortë, andaj presim që të kemi lojëra cilësore nga djemtë tanë dhe në të njëjtën kohë edhe përkrahje nëpër palestrat ku do të zhvillohen ndeshjet.
Kjo është dëshmia më e mirë e punës me gjenerata të reja nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Dhe ne tani po vazhdojmë ta bëjmë këtë, por duke e ngritur në një nivel krejt tjetër këtë punë, pra me fillimin e organizimit të projektit të Qendrës Kombëtare të Basketbollit”.
Komentet janë të mbyllura.