Basketboll

MBYLLET EDHE NJË XHIRO INTERESANTE, RAHOVECI VAZHDON TË PRIJË

Prishtinë(AsistiOnline) – Është mbyllur edhe një xhiro shumë interesante në Superligën e Basketbollit Kosovar.

Bëhet fjalë për xhiron e 12-të, që dha ndeshje shumë interesante, me rivalitet të theksuar në parket.

Xhiro u hap në Lipjan, atje ku Rahoveci ka vazhduar me fitore, duke mundur Lipjanin në udhëtim me rezultat 79:116 (12:36, 19:30, 27:28, 21:24). Për Lipjanin kjo ishte humbja e 11-të nga 11 ndeshje të zhvilluara, kurse Rahoveci ka dhjetë fitore dhe një humbje. Vreshtarët janë në vendin e parë në renditje.

Në po të njëjtën ditë, Trepça është mundur në shtëpi nga Golden Eagle Ylli me rezultat 77:88 (24:19, 16:25, 19:18, 18:26). Trepça ka dy fitore dhe tetë humbje, kurse Golden Eagle Ylli shtatë fitore dhe tri humbje.

Ndërsa në ndeshjen e parë të së dielës, që ishte edhe kryendeshja e xhiros, Sigal Prishtina ka fituar derbin e vjetër të basketbollit ndaj Pejës me rezultat 104:60 (33:9, 25:25, 19:17, 27:9). Tash Prishtina ka shtatë fitore dhe tri humbje, kurse Peja katër fitore dhe gjashtë humbje.

Dhe në sfidën e fundit të xhiros, Ponte Prizreni ka shënuar fitore si mysafir i Feronikelit me rezultat 93:101 (21:32, 21:19, 27:26, 24:24).

Prizreni tash ka gjashtë fitore e pesë humbje. Ndërsa, Nikli pësoi disfatën e tetë, karshi tri fitoreve.

Pas xhiros së 12-të, tabelës vazhdon ti prijë Rahoveci me 21 pikë, i pasuar nga Bashkimi në vendin e dytë me 18 pikë, të pasuara janë, Prishtina, Ylli e Prizreni me nga 17 pikë,  Peja e Feronikeli në pozitat 6/7 me nga 14 pikë, Trepça në pozitën e 8-të me 12 pikë dhe i fundit, Lipjani me 11 pikë.

Komentet janë të mbyllura.