Basketboll

DARDANI E KONFIRMON PËR ASISTIN: TE PEJA KAM ARDHUR PËR TROFE

Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti më i mirë kosovar aktualisht, Dardan Berisha sot është zyrtarizuar si lojtari më i ri i KB Peja.

AsistiOnline.com ka realizuar një intervistë ekskluzive me lojtarin pejan, pas zyrtarizimit të tij si lojtar i Pejës.

Berisha fillimisht u shpreh i entuziasmuar për rikthimin në klubin ku morri hapat e parë si basketbollist.

“Ndjenjë shumë e mirë normal me u rikthy aty ku kam fillu si basketbollist. Peja është shtëpia ime, aty do jem edhe afër familjes”.

Berisha foli për gjasat e Pejës në tentimet e tyre për të fituar trofe.

“Tashmë është shume herët për të folur për gjasat tona në tituj. Kemi nevojë për pak kohë deri sa të komponohemi, por shpresoj që do të jemi njëri ndër pretendentët kryesor për të fituar trofe”.

I pyetur për synimet e tij me Pejën sivjet, por edhe për stinorin tjetër, pasiqë ka nënshkruar kontratë një vit e gjysmë, ai u përgjigj kështu:

“Kudo që luaj dhe kam luajtur ka qenë pretendim që të fitoj trofe. Dhe qysh në kontaktet e para me Pejën, ideja ka qenë që të konkurojmë për të fituar trofe, si këtë vit njejtë edhe vitin e ardhshëm dhe kjo ishte ndër arsyejet që zgjodha Pejën”.

Berisha foli edhe për mundësitë e Pejës që sivjet ta fitoj Ligën Ballkanike, pasiqë sivjet pejanët po luajnë edhe aty.

“Peja sivjet përfaqësohet edhe në BIBL. dhe ne besojmë se mund ta fitojmë, por as një trofe nuk fitohet lehtë, kështuqë as Ballkan Liga s’ka me qenë e lehtë të fitohet, por ne do të japim maksimumin që ta fitojmë atë”.

Dhe në pyetjen e fundit, se si e sheh sivjet konkurencen ne basketbolli tonë, ai dha këtë përgjigjje.

“Liga sivjet është shumë interesante dhe besoj se deri në fund do të kemi ndeshje rivalizuese, pasiqë konkurenca është e madhe, por të presim dhe të shohim deri në fund se si do të rrjedhin gjërat”, përmbylli intervistën e tij dhënë AsistitOnline, Dardan Berisha.

Të kujtojmë se Dardani në stinorin vjeshtor mbrojti ngjyrat e Sigal Prishtinës, por më pas vendosi të kaloj në Pejë, ku edhe mori hapat e parë si basketbollist.

 

Komentet janë të mbyllura.