Basketboll

A DO JETË FERONIKELI BEFASIA E KUPËS SIVJET?

Prishtinë(AsistiOnline) – Ekipi i Feronikelit sivjet debutoi në elitën e basketbollit kosovar, për herë të parë në histori të skuadrës.

Ekipi nga Drenasi në vjeshtë nuk është se arriti synimet e kërkuara dhe për këtë në pranverë ndryshoi çasje, duke emëruar trajner të ekipit, Fikret Shatrin dhe stinorin e mbetur po paraqitet me një fytyrë krejtësisht të re.

Përkundër faktit se ende nuk ka arritur fitore në stinorin pranveror, ekipi i Niklit ka arritur që t’ju bëjë ballë edhe dy super-fuqive të basketbollit kosovar, Pejës e Prishtinës të cilat e mposhtën nëpër vrimën e gjilpërës me shumë e shumë telashe, madje Peja vetëm pas vazhdimeve.

Meritat kryesore për fuqizimin e Feronikelit, padyshim që ju takojnë dy ardhjeve të reja së fundmi, Dayon Griffin e Tavarion Nix, të cilët i kanë dhënë gjallëri dhe fuqi ekipit “industrialist” dhe janë shëndrruar në lojtarët kryesorë të ekipit, pa ju humbur meritat edhe pjesës tjetër të ekipit. Por, pa e harruar edhe punën pozitive  që po bën, trajneri  i ri i ekipit, Fikret Shatri.

Porse, a do të jetë Feronikeli befasia e Kupës së Kosovës, që mbahet në shkurt në Rahovec, kjo mbetet të shihet. Por me lojën që kanë treguar “industrialistët” në dy ndeshjet e fundit, çdo ekip do ta ketë tepër të vështirë me ta dhe vështirë për ti mposhtur.

Feronikeli në “Final Eight”-in e Kupës, do ta ketë përballë ekipin e Bashkimit nga Prizreni. Ndeshje që pritet të jetë e jashtëzakonshme, sikurse të tjerat.

Duhet cekur se Feronikeli stinorin e kaluar ishte fitues i Kupës së Kosovës për Ligën e parë, garë kjo e organizuar për herë të parë në histori për këtë rang garash.

Komentet janë të mbyllura.