Basketboll

PESËSHJA MË E MIRË VENDORE E STINORIT [VIDEO+LAJM]

Prishtinë(AsistiOnline) – ASISTI në emisonin e fundit për këtë edicion që u transmetua të hënën mbrëma në Art Sport 1 si dhe Klan Kosova, ka përzgjedhur pesëshen më të mirë vendore të stinorit në Superligën e Kosovës në Basketboll.

PLAYMAKERI I SEZONIT 2019 – 2020 __ Valon Bunjaku – Golden Eagle Ylli

Plejmejkeri më i mirë vendor i Superligës për edicionin e anuluar 2019-2020, shpallet Valon Bunjaku i Golden Eagle Yllit, i cili me organizmin e tij fantastik ishte bartës dhe truri i lojës së skuadrës therandase.
Valoni zhvilloi 23 ndeshje sivjet dhe së bashku me Canadan e Ponte Prizrenit ishin lojtarët e vetëm që realizuan triple-double. Ai luajti me mesatare prej, 15.2 pikëve për ndeshje, ishte në mesin e asistuesve më të mirë të ligës me mesatare prej 6.1 topave të shpërndarë , bëri 5.5 kërcime, vodhi mesatarisht nga 2 topa dhe u vlerësua me indeksin mesatar prej +19.6. Për gjitha këto të arritura , Valon Bunjaku e meritoi 8 herë përzgjidhjen në 5sshen e Javës ndërsa 3 herë u zgjodh MVP-i në ASIST. Andaj, pa asnjë dilemë , pozita e plejmejkerit më të mirë vendor sivjet i takon Valon Bunjakut të Golden Eagle Yllit.

FUNDORI I SEZONIT 2019 – 2020 __ Dardan Berisha – S.Prishtina/Peja

Fundori vendor më i mirë për edicionin që lamë pas nesh shpallet Dardan Berisha që sivjet luajti për dy skuadrat e mëdha kosovare, fillimisht për Sigal Prishtinën e pastaj u kthye në vendlindje, në Pejë.
Dardani në vjeshtë u paraqit për kryeqytetasit ndërsa në pranverë u rikthye tek Peja me të cilën e fitoi edhe Kupën e Kosovës.
Dardani për 14 ndeshje të zhvilluara në sezonin 2019/2020 pati mesatare prej 18.6 pikëve, 4.2 kërcime duke realizuar 3.6 asistime dhe e përfundoi sezonin me index prej +21.0
Realisht, Dardani në këtë pozitë me lojtarët vendorë nuk pati pothuajse fare konkurrencë sepse duke qenë 5 herë në 5-sshe të javës dhe 1 herë MVP në ASIST ishte larg më i mirë se gjithë tjerët dhe shpallet fundori më i mirë vendor për sezonin 2019/2020.

ALO I SEZONIT 2019 – 2020 __ Drilon Hajrizi – Peja

Për zgjedhjen e alosë më të mirë vendore sivjet patëm konkurrencë të madhe dhe ishte mjaftë vështirë për ta përzgjedhur sepse diferenca në statistika ishte tepër e vogël ndërmjet të dy mitrovicasve, Drilon Hajrizit që është kapiten i Pejës dhe Samir Zekiqit që luan për Golden Eagle Yllin.
Ishin detajet ato që vendosën që, alo më e mirë vendore sivjet të shpallet kapiteni i Pejës, Drilon Hajrizi.
Driloni për shkak të lëndimit që pati luajti vetëm 15 ndeshje por në shfaqjet e tij, sidomos në ndeshjet derbi, ishte vendimtar për fitoret e Pejës dhe sezonin e përmbylli me mesatare prej 16.8 pikë, 8.7 kërcimeve dhe 3.2 asistimeve duke vjedhur mesatarisht 1.3 topa , për çka pati indeks prej +20. Po ashtu, Driloni mbanë rekordin e pikëve të shënuara në një duel sivjet me 43 pikë të realizuara kurse duhet theksuar se u përzgjodh 4 herë në 5shen e Javës dhe 1 herë MVP i Javës.

ALO QENDRA E SEZONIT 2019 – 2020 __  Fisnik Rugova – Sigal Prishtina

Në pozitën e alos më i miri sivjet ishte Fisnik Rugova i Sigal Prishtinës i cili këtë sezon në disa ndeshje ishte vendimtar në fitoret e kaltër e bardhëve duke u shndërruar në shtyllë të suksesit dhe motivues për bashkëlojtarët e tij, në kohën kur prishtinasit sivjet, jo rrallë herë, patën krizë të lojës, gjë e cila kryeqytetasve nuk ju ka ndodhur viteve të fundit.
Fisi në 22 ndeshje luajti me mesatare prej 10.1 pikë, kërceu 5.2 herë, kishte mesatarisht 1.6 asistime dhe 0.7 topa të vjedhur dhe 1 herë është përzgjedhur në 5-sshen e Javës.

QENDRA E SEZONIT 2019 – 2020 __ Urim Zenelaj – Ponte Prizreni

Në pozitën e qendrës më të mirë vendore, nuk kishim hamendje fare pasi ajo i takoi edhe qendrës më të mirë të Superligës, gjigantit të Ponte Prizrenit, Urim Zenelajt. Ai e blindoi këtë pozitë me shifra magjike dhe double double mesatare të stinorit pasi në 24 ndeshje shënoi 13.8 pikë e 14.5 kërcime duke shtuar mesatarisht 3asistime e 2 bllokada , me indeks mesatar +28.3, që ishte më i larti sivjet.
Rekordet e Urimit i cili, në 24 ndeshje të zhvilluara shënoi 14 dyshifror të dyfishtë, plotë 11 herë u shpall në 5-sshen e Javës dhe 5 herë MVP, e bënë atë pa asnjë dyshim qendrën më të mirë vendore në Superligë.

5SHJA MË E MIRË VENDORE 2019-2020

PLAYMAKERI VENDOR 2019/20 :          VALON BUNJAKU – GOLDEN EAGLE YLLI

15.2 P; 5.5 KRC; 6.1 AST; 2.0 TVJ; +19.6 (8 HERË NË 5-SHE DHE 3HERË MVP I JAVËS)  

FUNDORI VENDOR 2019/20 :      DARDAN BERISHA (SIGAL PRISHTINA/PEJA)

18.6 P; 4.2 KRC; 3.6 AST; +21.0 (5 HERË NË 5-SHE DHE 1HERË MVP I JAVËS)

ALO VENDORE 2019/20:  DRILON HAJRIZI ( PEJA)

16.8 P; 8.7 KRC; 3.2 AST; 1.3 TVJ; +20.1 (4 HERË NË 5-SHE DHE 1HERË MVP I JAVËS)

ALO QENDRA VENDORE 2019/20:  FISNIK RUGOVA (SIGAL PRISHTINA)

10.1 P; 5.2 KRC; 1.6 AST; +10.4 (1 HERË NË 5-SHE TË JAVËS)

 

QENDRA VENDORE 2019/20:      URIM ZENELAJ (PONTE PRIZRENI)

13.8 P; 14.5 KRC; 3.0 AST; 2.0 BLK; +28.3(11 HERË NË 5-SHE DHE 5 HERË MVP JAVËS) /AsistiOnline

Komentet janë të mbyllura.