Prishtinë(AsistiOnline) – Një lajm tejet pozitiv na vije nga Federata e Basketbollit të Kosovës, pas takimit që drejtuesit e kësaj të fundit e patën dje me Ministren e Sportit, Vlora Dumoshi, për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.
Në fakt, Ministria e Sportit ditën e djeshme organizoi një takim me të gjitha Federatat sportive të vendit, ku u diskutua enkas për rikthimin e aktiviteteve sportive dhe një gjë të tillë e adresoi si kërkesë edhe FBK-ja.
Për të konfirmuar nëse mund të kthehet ndonjë garë basketbolli në Kosovë, AsistiOnline.com kontaktoi direkt me sekretaren e përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun e cila ishte pjesëmarrëse në takim me Ministren Dumoshi.
”Pas mbledhjes së djeshme Ministrja Dumoshi e ka dhënë lejen që nga Qershori të vazhdohet me aktivitete sportive. Ndërsa ne si Federatë javën e ardhshme do të diskutojmë rreth Ligës së Parë dhe kategorive të reja. Kurse vendimi për anulimin e Superligës është i pakthyeshëm”, tha Dushku.
Në ditët në vijim, Federata e Basketbollit të Kosovës pritet të vendosë për rikthimin eventual të garave të tjera të pezulluara, përpos Superligës së Meshkujve dhe të Femrave që tashmë janë anuluar krejtësisht.


