Basketboll

KENAN SPAHIU – KOSOVARI QË PO RIKTHEHET TË LUAJ NË EUROLIGË

/Prishtinë(AsistiOnline) – Kenan Spahiu është basketbollist i lindur në Kosovë, por që komplet karrierën e tij basketbollistike e nisi dhe e zhvilloi në shtetin e Turqisë e ku më pas bëri edhe emër dhe që vazhdon ta ketë edhe tash.

Gjatë ditës së sotme, AsistiOnline.com raportoi ekskluzivisht se Kenan Spahiu do të nënshkruaj kontratë 1 vjeçare me gjigantin e basketbollit turk dhe evropian, Fenerbahçe dhe që këta të fundit, shumë shpejtë pritet ta zyrtarizojnë lajmin për ujdinë me Kenanin.

POR, KUSH ËSHTË NË TË VËRTETË KENAN SPAHIU – PROFIL:

 

Si vetëm 15 vjeç , karrierën profesionale Kenani e filloi në skuadrën e famshme turke nga Bursa, Tofaş. Aty qëndroi nga viti 2010 deri më 2013 dhe gjatë kësaj kohe përveç se luajti për ekipin senior ai ishte edhe reprezentues i Turqisë për kadetë e juniorë, me të cilët në vitin 2013 në kampionatin evropian për juniorë në Riga të Letonisë fitoi titullin e kampionit të Evropës dhe u shpall MVP apo lojtari më i mirë i ri në Evropë.

 

 

 

 

Të njëjtin vit, me kërkesën e trajnerit më të suksesshëm evropian të gjitha kohëve, Zheljko Obradoviqit, si 18 vjeçar, Kenani u transferua si super-talent dhe yll i kombëtares turke nga Tofashi në Fenerbahçe Ulker dhe debutoi në Euroleague.

Ai ra në sy edhe të skautëve të NBA gjatë ndeshjes që Feneri e zhvilloj në Stamboll kundër Oklahoma City Thunder në kuadër të NBA Global Game 2013. Atëbotë, Kenani si vetëm 18 vjeç luajti kundër Kevin Durantit, Westbrookut dhe rivalit direkt, veteranit legjendar dhe kampionit në NBA, Derek Fisherit.

Fatkeqësisht për Kenanin, sezoni i cili filloi për mrekulli me debutim edhe në Euroleague, u ndërpre për shkak të thyerjes së dorës dhe intervenimit kirurgjik i cili e mbajti jashtë fushës më shumë se 9 muaj. Kthimi nuk ishte i shpejtë dhe i tillë sikurse kishte dëshiruar Kenani.
Minutazhi i tij ishte zvogëluar shumë pasi Fenerbahqe luftonte për titull në tri fronte, Superligën turke, Kupën e shtetit dhe Euroligë.

 

 

Për këtë arsye, vitin e fundit të kontratës me Fenerbahqen, në stinorin 2015-16, ai kërkoi të huazohet në Pinar Karshijaka ku pati minutash dukshëm më të madhe dhe luajti me sukses duke e rikthyer formën. Kjo bëri që një skuadër tjetër e famshem turke, Beshiktashi, ta angazhoj në dy edicionet e fundit kurse gjatë kësaj kohe punoj nën udhëheqjen edhe një tjetër trajneri ndër më të suksesshëm evropian e botëror, Dushan Ivanoviqit.

 

 

Në stinorin e kaluar 2019/20, Kenani si duket e ndjeu që ka ardhur koha që duhet të luaj në ndonjë ligë jashtë basketbollit të Turqisë dhe pikërisht kështu vendosi, sepse Kenani arriti marrëveshje me një ekip nga liga më e fortë nacionale e basketbollit në Evropë, ajo e Spanjës, Kenani nënshkruajti me skuadrën nga elita spanjolle e basketbollit, Real Betis me të cilët luajti konsiderueshëm dhe bukur dhe kjo si duket do të jetë edhe ”sebepi” i rikthimit të madh të Kenanit në Euroligë, për faktin se ai tashmë është pranë detajeve të fundit kontraktuale të cilat e bëjnë atë lojtarin më të ri të gjigantit turk nga Stambolli, Fenerbahçe.

Edhe pse vetëm 25 vjeçar, Kenani sot ka një përvojë të madhe në ligat e njohura turke dhe spanjolle, dy prej ligave kombëtare më të forta në Evropë, si dhe në garat evropiane për klube, qoftë Euroligë apo Euro Cup.

 

Vlen të ceket se, Kenan Spahiu nuk e harron asnjëherë basketbollin kosovar dhe prejardhjen e tij, ndërsa me shumë modesti shprehet i gatshëm që për Kosovën të kontribuojë në çfarëdo forme dhe kurdo që i jepet rasti.

Jo më vonë se vitin e kaluar, Kenani kishte qëndruar në vendlindje jo vetëm për të pushuar dhe takuar familjen, por këtë e kishte kombinuar me fillimin e ushtrimeve dhe përgatitjeve për edicionin e ardhshëm. Duke e shfrytëzuar çdo mundësi për të ardhur dhe kaluar kohë në Prishtinë, Kenani vitin e kaluar kishte zgjedhur të filloi përgatitjet në vendlindje, duke punuar individualisht me trajnerin më të trofeshëm kosovar të gjitha kohëve, Arben Krasniqin dhe në atë kohë interviste ekskluzive kishte realizuar portali ekskluziv – basketbollistik kosovarë, AsistiOnline.com dhe duke e rikujtuar atë intervistë ju sjellim disa fotografi nga ajo kohë.

/AsistiOnline.com

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.