Basketboll

PONTE PRIZRENI ME REAGIM ZYRTAR: AKUZON KOMUNËN E PRIZRENIT PËR DISKRIMINIM

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëra ndër klubet më simpatike, por edhe më stabile në vitet e fundit në basketbollin e Kosovës, Ponte Prizreni gjatë ditës së sotme ka lëshuar një komunikatë për media, duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të Komunës së Prizrenit për diskriminim.

Drejtuesit e klubit të Ponte Prizrenit në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të klubit, kanë akuzuar Komunën e Prizrenit për shumë gjëra që sipas tyre janë të qëllimshme, por akuzat janë bërë me theks të veçantë dhe kryesisht për diskriminim në ndarjen e fondeve financiare që Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport i ndan, për çdo vit për klubet sportive të Prizrenit, por që sipas klubit të Pontes për klubin e tyre nuk është dhënë as ndihma më e vogël dhe as ajo që është premtuar.

AsistiOnline.com ju sjellë reagimin e Ponte Prizrenit të plotë dhe pa ndërhyrje:

REAGIM ME SHKAS I KB PONTE PRIZRENI

NDAJ:

  • KRYETARIT TË KOMUNËS MYTAHER HASKUKA
    dhe – DREJTORISË PËR RINI KULTURË DHE SPORT NË KOMUNËN E PRIZRENIT

KB PONTE PRIZRENI tani e 5 vite ushtron aktivitetin sportiv dhe tani bëhet viti i 3 në Superligën e Kosovës në basketboll dhe ka pjesëmarrje me mbi 60 të rinjë në liga të kategorive të reja gjithnjë të organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Për dy vite në Superligë skuadra ka treguar suksese, ku në debutim ishim pjesë e PLAYOFFIT dhe FINAL 4 të Kupës së Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe dy vite garimin me sukses për ngritje në Superligë ku arritëm me plot sukses.

Në njërën nga sukseset e lartcekura ishin edhe dy fitoret e skuadrës sonë kundër Borea-s, ku gjatë ceremonisë dhe festës shumë pushtetarë përfshirë kryetarin e komunës z.Haskuka u renditen në fotografime të festës dhe thuren lavde e postime në rrjete sociale vetëm për poena politike.

Në zgjedhjet e Nëntorit 2017 kryetar i komunës u zgjedh z.Haskuka.
Vizita e parë nga komuniteti sportiv në zyrën e kryetarit u bë nga ekspedita e skuadrës sonë: trajneri Arbnor Rifati dhe basketbollistët Somel Shaqiri dhe Hadrian Paqarizi .

Atë kohë kryetari Haskuka premtoi mbështetje institucionale dhe shprehu mirënjohje për idenë e krijimit edhe të një skuadre të re të basketbollit, pasi Prizreni kishte nevojë për një të tillë.

Vizita e dytë ishte 10 Korrik 2018 pasi skuadra arriti Superligën. Ekspedita e gjerë u përfaqësua nga kryetari i klubit Zgjim Kryeziu ku në bisedë e sipër kryetari komunës z.Haskuka premtoi 20.000€ dhe një sponzor për klubin që të ketë një stabilitet financiar.

Me kalimin e kohës u vërejt se gjithë ky premtim ishte “muhabet i kotë”, dhe me fillimin e kampionatit ne kërkonim atë që na është premtuar.Në Tetor të vitit 2018 e kemi takuar ish Drejtorin për Kulturë Rini dhe Sport z. Ehat Oreshka ku nga ai e morëm premtimin e njëjtë.
Kaluan ditët, javët e muajt dhe asgjë nuk lëvizi. Drejtuesit e skuadrës në Dhjetor të vitit 2018 e takojnë sërish ish drejtorin z. Ehat Oreshka i cili tani tha se shuma e 20.000€ është e pamundur të realizohet, por, për këtë vitë do të keni 10.000€, për shkak se ajo shumë duhet paguar nga politikat zhvillimore gjegjësisht nga arka e KB BASHKIMI me një memorandum bashkëpunimi mes dy skuadrave të basketbollit të qytetit të Prizrenit.
Ne pranuam ofertën e re të z.Oreshka për shumën 10.000€, për arsye se patëm njohuri rreth problemeve dhe borgjeve të KB BASHKIMI por kjo shumë duhet të ju kompenzohej nga Drejtoria në konto të KB BASHKIMI ku ne nuk i bënim asnjë dëm klubit.

Pas zotimit të kryetarit Haskuka dhe ish drejtorit Oreshka skuadra jonë hyn në obligime (borgje) duke llogaritur 10.000€ e premtuara, por në fund ato nuk u paguan dhe ne si klub e dimë se si i kemi paguar obligimet e paparashikuara.
IKU VITI PARË!

Ne sërish trokitëm në dyert e Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit para fillimit të edicionit garues 2019/20 për të kërkuar mbështetje. Ishte takimi i tretë zyrtar me ish drejtorin Oreshka.
Në bisedë e sipër na u premtua sërish 10.000€, ndërsa në pyetjen tonë se ku mbetën ato 10.000€ të vitit të kaluar, përgjigjja e ish drejtorit ishte e shkurtër: “U AVULLUAN” ta harrojmë premtimin e kaluar dhe të shofim se sa fonde kemi mundësi të ndajmë në të tashmen.

Për këtë i bëjmë thirrje prokurorisë dhe Asamblesë Komunale që së paku të bëhet një hetim sepse të gjithë sot jemi në dijeni që gjithë këto të holla janë nga taksat dhe tatimpaguesit e qytetit të Prizrenit.

Edhe pse të diskriminuar u dakorduam që ti pranojmë 10.000€ të sezonit të ri, duke lënë në “AVULL” apo në hije ato 10.000€ të premtuara të edicionit të kaluar.
Ish drejtori z.Oreshka na njoftoi se nga “Politikat e Zhvillimit të Sportit të Basketbollit dhe Hendbollit” kemi ndarë 28.000€ më shumë, të cilat do të derdhën në konto të KB BASHKIMI, e nga aty 10.000 € do të kalojnë në konto të klubit tuaj, 10.000 € për BASHKIMI Femrat dhe 8000€ për klubin e hendbollit PRIZRENI.

Vazhdimsia është si vijon: KB BASHKIMI FEMRAT e pranojnë shumën e lartëcekur sikurse edhe KH PRIZRENI Hendboll, ndërsa kënga e njejtë me ritmin e njejtë vazhdon për ne, pa asnjë mbështetje për klubin PONTE PRIZRENI.

Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër mospërkrahjes së klubeve të sportit Prizrenas, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë pro mbështetjes së këtyre klubeve.

Gjatë kësaj kohe Kryetarin z.Haskuka e kemi takuar dy herë rradhazi dhe një herë ish drejtorin z.Oreshka dhe çdoherë është thënë se kjo punë është e kryer por ja që jemi mashtruar e gënjyer sërish.

Në takimin e fundit me z.Oreshka na është thënë se ne kemi kryer procedurat, por keni pengesë apo cungim nga përfaqësuesit e KB BASHKIMI.

Pastaj ne takuam zyrtarët e KB BASHKIMI ku ata na informuan se kontrata për POLITIKAT E ZHVILLIMIT TË SPORTIT TË BASKETBOLLIT DHE HENDBOLLIT është bërë vetëm me KB BASHKIMI F dhe KH PRIZRENI duke na anashkaluar sërish.

IKU EDHE VITI I DYTË… EDHE SA VITE JU DUHEN! NDËRGJEGJA LE T’JU MBREN JUVE PUSHTETARË!

Të dashur qytetarë të Prizrenit, kjo është gjithë kronologjia e asaj se çka ka ndodhur, çka është premtuar e çka është gënjyer e mashtruar nga njerëzit që gjenden në shtëpinë e bardhë, që mikëpritja shoqërohet gjithmonë me buzëqeshje dhe çdo herë interpretohet fjala ”PO” gjatë çdo kërkese që kemi.

Ne kemi një klub me 100 sportistë ku mbi 80% janë nga Prizreni, përfaqësojmë Prizrenin dhe me mburrje e krenari e ndijmë vetën si djemtë e lidhjes, përkrahës të KF LIRIA,KB BASHKIMI (meshkuj+femra) KH PRIZRENI e të gjitha sportet e Prizrenit ngase ne këtu jemi të promovojmë sportin dhe qytetin tonë, e veçanërisht roli jonë është që rininë tonë të shëndoshë ta edukojmë në frymën më të mirë të mundshme.

Kryetari është personi që inkurajon klubet, mbështet e përkrah ashtu si i ka hije. Ndasitë, inatet nuk i shërbejnë askujt, aq më pak ndaj sportistëve që janë ambasadorët më të mirë të një qyteti respektivisht të një shteti!

Po të mbetej për Komunën tonë, sot klubi nuk do ekzistonte.

Diskriminimi apo mos vlerësimi i pushtetit lokal neve na motivon më shumë për punë dhe për të ardhmen e klubit.

PONTE PRIZRENI do jetë më i fortë se kurrë më parë përkundër shumë barrierave dhe problemeve të bizneseve të cilat janë prekur nga pandemia COVID19.

Gjithnjë falenderimi shkon në adresë të të gjitha bizneseve që na kanë mbështetur në këtë super udhëtim, të cilët pa asnjë hezitim na kanë ndihmuar pa interesin më të vogël të mundshëm.

Projekti i ardhshëm i klubit do të fillojë nga 1 Gushti me punën e një akademie të basketbollit me mbi 150 fëmijë si dhe nga fillimi i Shtatorit do rifillojmë përgatitjet për edicionin e ri garues 2020-21.

Gjatë muajit Gusht do të prezentohen përforcimet bombastike të klubit tonë.

Për fund ju kërkojmë ndjesë dhe mirëkuptimin tuaj, ngase ishim ndoshta të gjatë në tekst por e kemi me borgj të ju informojmë të gjithëve për diskriminimin e bërë nga KOMUNA E PRIZRENIT, sepse nuk dëshirojmë të mendohet se ata na kanë ndihmuar për të arriturat të gjitha sukseset gjerë me sot.

Në fund një pyetje për kryetarin e komunës z.Mytaher Haskuka.
Pse ky diskriminim ndaj klubit basjetbollietik Ponte Prizreni ?!

Ju faleminderit paraprakisht.

Me respekt Bordi drejtues i KB PONTE PRIZRENI

26.07.2020!

 

Komentet janë të mbyllura.