Basketboll

TË MËRKURËN GRUMBULLOHET PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Këtë të mërkurë që i bie të jetë nesër, do të grumbullohet Përfaqësuesja e Kosovës A, nën-urdhërat e selektorit, Christos Marmarinos.

Ekipi kombëtar do të grumbullohet për dy ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës këtë muaj – nëntor në kuadër të Dritares së Dytë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Nga FBK-ja mbrëmë është paralajmëruar, se basketbollistët e Kosovës dhe shtabi teknik në krye me përzgjedhësin Christos Marmarinos do të jenë së bashku në një hotel në Prishtinë, që nga dita e mërkurë(nesër) dhe do të stërviten në Marigona Residencë. Ata nuk do të kenë kontakte me familjet e tyre dhe bashkëlojtarët në klubet ku aktivizohen, pasi që Federata e Basketbollit të Kosovës nuk dëshiron që të rrezikojë që ndonjëri prej anëtarëve të delegacionit të infektohet me Covid-19.

Basketbollistët të cilët janë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës nga grumbullimi i parë do të karantinohen së bashku në mënyrë që të jenë të gatshëm në të gjitha aspektet për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës, që do të zhvillohen më 26 dhe 28 nëntor në Bratisllavë.

Vlen të ceket se basketbollistët e Kosovës të hënën(dje) janë testuar (PCR) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, derisa rezultatet do të dalin sot. Poashtu anëtarët e delegacionit të Kosovës do të testohen edhe një herë (më datë 21 nëntor) para se të udhëtojnë për në Bratisllavë.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.