VËLLAZNIMI TRIUMFON NË ”MINATORI” NDAJ TREPÇËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Vëllaznimi e ka arritur fitoren e katërt sezonale në elitën kosovare, duke mposhtur Trepçën sonte në Mitrovicë.
Gjakovarët kanë arritur të triumfojnë me mund të madh në Mitrovicë dhe me shifrat finale të ndeshjes, 86-91, në një ndeshje që ishte interesante deri në sekondat e fundit.
Çereku i parë i ndeshjes, nisi me baraspeshë të madhe dhe kjo bëri që të mbyllej gjithçka baraz, 22-22, por në të dytin Vëllaznimi ‘ndezi motorët’ dhe e fitoi atë bindshëm, 15-26, duke shkuar kështu në pushim me epërsi 11 pikëshe(37-48).
Në pjesën e dytë, Trepça paksa u këndell dhe arriti ti fitojë ngushtë, dy periodat e fundit të ndeshjes(17-16, 32-27), por që deficiti nga humbja e çerekut të dytë, nuk e lejoi të përmbyset rezultati dhe kështu në fund, Vëllaznimi iu gëzua fitores së katërt sezonale.
Cedric Council me double-double fantastik(30pk, 14krc), Chris Hortman që ishte afër triple-double’it me 25 pikë, 9 kërcime e 9 asiste, si dhe Devante Jackson me 17 pikë e 8 kërcime, ishin lojtarët më të dalluar në fitoren e Vëllaznimit sonte.
Tek Trepça s’mjaftuan për fitore, Tramaine Isabell me 25 pikë, Mojeed Ewuosho me 21 pikë, Burim Zekiqi e Besnik Azemi me nga 13 pikë e as Devin Haygood me 12 sosh.
Pas xhiros së 11-të, Vëllaznimi arrin në kuotën e 15 pikëve me 4 fitore e 7 humbje. Ndërsa, Trepça mbetet e fundit me 13 pikë, 2 fitore e 9 humbje.
Në xhiron e ardhshshme, Trepça luan në udhëtim te Peja e Vëllaznimi e pret Yllin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.