BASHKIMI RIKTHEHET TE FITORET, MPOSHT NË SHTËPI VËLLAZNIMIN
Prishtinë(AsistiOnline) – Bashkimi i Prizrenit është rikthyer te fitoret në Superligën e Kosovës, pas dy humbjeve të më hershme në stinorin pranveror.
‘Portokallinjët’ të drejtuar nga trajneri perspektiv, Illmen Bajra, mposhtën me përmbysje skuadrën e Vëllaznimit me rezultatin final të sfidës, 79-67.
Në fakt, skuadra e Bashkimit e nisi sfidën pak më mirë se Vëllaznimi dhe fitoi çerekun e parë, 23-20, përderisa në të dytin, Vëllaznimi u këndell dhe e fitoi, 14-23, duke shkuar në pushim me avantazh, 37-43.
Pjesa e dytë ishte pothuajse krejtësisht në favorin e vendasve nga Prizreni, ata fillimisht e fituan periodën e tretë minimalisht(17-16) duke e ngushtuar rezultatin, por jo ta rikthenin epërsinë e çerekut të parë. Ndërsa në çerekun e tretë, djelmoshat e Illmen Bajrës e rritën tempon e lojës, duke fituar thellë këtë periudhë(25-8), duke përmbysur gjithçka dhe duke fituar këtë ndeshje dramatike.
Sean Hoehn me 25 pikë, Endrit Hysenagolli me double-double fantastik(20pk, 17krc), Musab Mala me 13 pikë(shënimet vendimtare) dhe Qëndrim Biraj me 11 sosh, ishin individët më të dalluar në këtë fitore të Bashkimit sonte.
Te Vëllaznimi s’mjaftuan për fitore, dy transferet e reja, Emmanuel Omogbo me double-double(24pk, 12krc), Deondre Ray me 17 pikë dhe Andi Shehu me 15 pikë.
Bashkimi arrin në kuotën e 26 pikëve me 9 fitore e 8 humbje. Ndërsa, Vëllaznimi mbetet i fundit me 4 fitore e 13 humbje.
Në xhiron e radhës, Bashkimi i shkon Pejës e Vëllaznimi e pret Trepçën.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.