Basketboll

EDON MAXHUNI SHQIPTARI I KATËRT NË HISTORI QË ARRIN NJË EVROPIAN

Prishtinë(AsistiOnline) – Edon Maxhuni sot është bërë basketbollisti i katërt shqiptar që arrin të kualifikohet me një skuadër kombëtare në një Kampionat Evropian të basketbollit, shkruan AsistiOnline.com

Me fitoren e sotme të Finlandës dhe humbjen e Gjeorgjisë, skuadra finlandeze ka arritur që edhe zyrtarisht të kualifikohet në Eurobasketin e vitit 2022.

Kualifikimi i Finlandës në Evropian e bën Edon Maxhunin, vetëm basketbollistin e katërt shqiptar në histori që e arrin një kompeticion të tillë prestigjioz, që për shumicën e basketbollistëve nga kontinenti i vjetër, vazhdon të mbetet vetëm një ëndërr.

Përpos Maxhunit, Eurobasketin me kombëtare të huaja e arritën edhe Ermal Kuqo me fanelën e Turqisë i cili luajti në dy Evropiane, Dardan Berisha me Poloninë, madje kësaj të fundit ia kishte siguruar një fitore në çastet e fundit ndaj Turqisë, si dhe Kenan Spahiu me Turqinë.

Maxhuni sot ka qenë i jashtëzakonshëm në fitoren e ‘susijengëve’, ku për 18 minuta lojë realizoi 17 pikë, kapi 4 topa nën-tabelë si dhe asistoi 1 herë.

Ndërsa në vitin e ardhshëm, Edonin pritet ta shohim me shtetin në fjalë në Eurobasketin 2022 i cili mbahet në katër shtete: Çeki, Gjeorgji, Itali dhe Gjermani.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.