Basketboll

PARALAJMËROHET NISJA E LIGËS UNIKE

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pritet të fillojë së shpejti dhe për këtë gjë ka paralajmëruar faqja zyrtare e kësaj gare.

Nëpërmjet një video promoje të lëshuar pak minuta më parë, bie në sy muaji prill si koha kur pritet të startojë me ndeshjet e shumëpritura kjo garë që u themelua vitin e kaluar në Shqipëri.

Në këtë garë e cila pritet të zgjojë kureshtjen e madhe të publikut shqiptar, për të luajtur nga Kosova janë nominuar katër ekipe: KB Peja, KB Sigal Prishtina, KB Rahoveci dhe KB Golden Eagle Ylli. Ndërsa sa i përket klubeve nga Shqipëria janë nominuar: Goga Basket, Vllaznia, Teuta dhe Partizani.

Të kujtojmë se Liga Unike e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë u krijua më 10 shtator të vitit 2020 me një ceremoni zyrtare në Tiranë. Të pranishëm në këtë ceremoni historike ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili e kishte zbuluar logon zyrtare të Ligës UNIKE si dhe Kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demireli.

Marrëveshjen historike për themelimin e Ligës së basketbollit mes dy shteteve dhe e cila do të quhet “Liga UNIKE”, atë kohë e kishin nënshkruajtur, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Kjo Ligë Unike u shtye deri më tani, shkaku i masave anti-covid-19 në shtetin shqiptar të cilat ishin të vlefshme për sportet në hapësira të mbyllura dhe basketbolli shqiptar, filloi me përgatitje vetëm para një muaji e kjo e pamundësoi nisjen e kësaj gare, por që tash di duket do të startojë më në fund.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.