EKSKLUZIVE: SHQIPTARI NGA MAQEDONIA PRANË ZYRTARIZIMIT SI LOJTAR I BESHIKTASHIT
Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri prej basketbollistëve më të talentuar në Maqedoni, shqiptari nga Shkupi Lejson Zeqiri është afër nënshkrimit me një top-klub nga Evropa.
Zeqiri 19 vjeçar i gjatë 2.07 centimetra, ka arritur ujdi për bashkëpunim me njërën prej klubeve më të mëdha turke, Beshiktashin dhe nga edicioni i ardhshëm do të jetë pjesë e tyre.
Lajmin për afrimin e kalimit të Lejson Zeqirit në Beshiktash, për AsistiOnline.com e ka konfirmuar ekskluzivisht edhe vetë lojtari në fjalë që ka thënë se marrëveshja në parim tashmë është arritur dhe finalizimi pritet të ndodhë shumë shpejtë.
”Po është e vërtetë se kam arritur marrëveshje në parim me skuadrën e Beshiktashit, të gjitha detajet kanë përfunduar dhe javën e ardhshme do të udhëtoj për në Turqi që të finalizojmë gjërat dhe të nënshkruaj kontratën”, u shpreh Zeqiri.
Por, cila është karriera e deritanishme e Lejsonit si basketbollit që premton shumë, AsistiOnline.com ju sjellë në pika të shkurta një përmbledhje për të dhe ju propozojmë që ta lexoni:
Qendra shtatëgjate shqiptare, karrierën si basketbollist e kishte nisur tek skuadra shqiptare, Liria e më pas për dy vite ishte transferuar te ekipi maqedonas, Vardar, ku në vitin e fundit atje ishte shpallur edhe kampion me gjeneratën U-16. Pas sezonit fantastik me Vardarin, Zeqiri ishte transferuar tek njëra prej akademive më të forta të basketbollit në Maqedoni, ”Vodno Suns Partizan” ku kishte bërë përparim shumë të madh, dy vite i kishte kaluar aty ku arritën që me ekipin në fjalë në njërën prej sezoneve të fitojnë edhe vendin e dytë me gjeneratën U-18. Pas kësaj, qendra e re shqiptare luajti edhe në ”Final Four” me Maqedoninë në Evropian për U-18, duke bërë paraqitje fantastike edhe aty. Pas aventurave në Maqedoni, Zeqiri u transferua në një shkollë parapërgatitore në SHBA, ”Florida Coastal Prep” aty kishte kaluar një vit poashtu të suksesshëm, por më pas shkaku i pandemisë covid-19 ishte kthyer në Maqedoni, duke nënshkruajtur me ekipin më të madh maqedonas, MZT Skopje.
Me ekipin e MZT-së, Zeqiri sivjet e pati edicionin e parë si senior, ku ka pasur sezon shumë të mirë edhe pse ekipi i tyre ka qenë më i riu në ligë për nga mesatarja e viteve të lojtarëve, por kjo nuk i pengoi fare të bëjnë shumë befasi dhe pas këtij sezoni, talentit shqiptar iu ofrua mundësia për prova në top-klubin turk, Beshiktash falë ndihmës së dy njerëzve: Enes Jusufi dhe Bilgin Kahilin, ai siguroi provat zyrtare në Beshiktash, duke treguar potencialin e madh që ka e falë kësaj, Lejsoni ia tërhoqi vëmendjen e madhe, trajnerit kryesor të Behsiktashit, Ahmet Kandemir(ish-trajnerit të Sigal Prishtinës) i cili propozoi tek krerët e klubit që ky lojtar të ketë kontratë profesioane medoemos dhe nënshkrimi i Zeqirit me skuadrën e madhe turke tash është vetëm çështje kohe.
Në prononcimin e tij për AsistiOnline, Lejsoni pati një falenderim të veçantë për njeriun që sipas tij e bëri të jetë ky që është sot. ”Dua të falenderoj një njeri të veçantë për mua, trajnerin Muja Thaçi që i falenderohem tepër shumë për mundin që e ka dhënë që unë të bëhem lojtari dhe njeriu që jam tash, pa të nuk do të isha sot këtu”, tha 19 vjeçari nga Shkupi.
Të kujtojmë se talenti i madh shqiptar më herët ka shfaqur interesim që ta përfaqësojë edhe Kosovën A, por që nuk ka pasur ftesë zyrtare ende nga përzgjedhësi, Christos Marmarinos e ne shpresojmë dhe besojmë që kjo do të ndodhë sa më shpejtë, sepse ky djalosh ka të ardhme të ndritur.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.