Një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni në basketbollin evropian u regjistrua sonte në Final Four-in e Ligës se Kampionëve, ku Rytas Vilnius eliminoi bindshëm favoritin spanjoll Lenovo Tenerife me rezultat të thellë 87-69.
Skuadra tradicionale nga Lituania, ndonëse konsiderohej autsajdere në letër, zhvilloi një paraqitje fantastike në Badalona, duke dominuar ndaj ekipit spanjoll që kishte përvojë dhe rotacion më të thellë.
Interesant mbetet fakti se Rytas arriti këtë sukses me vetëm katër lojtarë të huaj në përbërje, përballë shtatë të tillëve te Tenerife, duke treguar forcën e organizimit dhe karakterit ekipor.
Ylli i mbrëmjes ishte Jerrick Harding me 29 pikë, duke qenë i pandalshëm në sulm, derisa kontribut të rëndësishëm dha edhe Gytis Masiulis me 12 pikë.
Në anën tjetër, për Tenerife nuk mjaftoi as paraqitja e veteranit 42-vjeçar Marcelinho Huertas që realizoi 21 pikë, ndërsa Fran Guerra shtoi 13 të tjera.
Me këtë triumf të madh, Rytas siguron finalen e garës më prestigjioze për klube të organizuar nga FIBA, ndërsa Tenerife përfundon rrugëtimin në gjysmëfinale.
Vlen të theksohet se Final Four-i i sivjetmë po organizohet në Badalona, qyteti i klubit të njohur Joventut Badalona, ndërsa në finale Rytas do të përballet me fituesin e duelit mes Unicaja, kampionit aktual të garës, dhe AEK Athens./AsistiOnline.com/



