Basketboll

S’MJAFTOI TRIPLE-DOUBLE I DONCICIT, FRANCA NË FINALE TË OLIMPIADËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Franca është skuadra e dytë finaliste e Olimpiadës 2020.

Në një super-ndeshje me super-spektakël nga të dyja ekipet, Franca e ka arritur finalen e madhe të Lojërave Olimpike Tokio 2020, duke e mposhtur Slloveninë minimalisht 90-89.

Ndeshja ishte tepër e ngushtë me çerekun e parë që i takoi ngushtë Sllovenisë 27-29, derisa në të dytin ekipet luajtën baraz (15-15) dhe sllovenët shkuan në pushim me epërsi 2 pikëshe 42-44.

Në pjesën e dytë vazhdoi loja e ngushtë mes skuadrave, por ishte Franca ajo që u tregua më konkrete dhe përmbysi diferencën e ngushtë të Sllovenisë dhe e nisi periodën vendimtare në avantazh 71-65. Periudha e fundit ishte tepër interesante e me shumë kthesa në rezultat, 33 sekonda para fundit Prepelic i sllovenëve qëlloi treshe dhe afroi rezultatin maksimalisht(90-89), derisa po i njëjti lojtar në aksionin e fundit(0.1sec) kishte mundësinë që të realizoi në depërtim dhe t’ia sigurojë fitoren ekipit të tij, por u bllokua nga heroi i ndeshjes Nicolas Batum e Franca arriti finalen e madhe.

Tre basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Francës sot: Nando DeColo (25, si dhe 7 kërcime e 5 asiste), Evan Fournier (23) dhe Timothe Cabarrot (15).

Te Sllovenia s’mjaftoi për fitore triple-double i Luka Doncicit (16pk, 18ast, 10krc) i cili realisht në shumë raste u markua mirë nga francezët sot, derisa Mike Tobey pati 23 pikë e 8 kërcime, figura tragjike e ndeshjes, Klemen Prepelic e mbylli ndeshjen me 17 pikë.

Franca në finalen e Olimpiadës takohet të shtunën me USA-në që e mposhti në fazën grupore. Derisa, Sllovenia do të luaj me Australinë për medaljen e bronztë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.