Basketboll

MËSOHEN DATAT E STARTIT TE SUPERLIGA E FEMRAVE

Prishtinë(AsistiOnline) – Pas një edicioni tepër interesant në elitën e basketbollit kosovar femëror, kjo kategori sivjet pritet të jetë edhe më shumë konkuruese

Penza, Bashkimi dhe Prishtina janë skuadrat që edhe sivjet pritet të thonë fjalën e fundit te Superliga e Femrave për trofe, derisa ekipet tjera do e kenë synim mbijetesën.

Kur jemi disa ditë nga mbyllja e afatit kalimtar të transfereve në këtë kategori, FBK-ja sot ka publikuar datat e fillimit të garave dhe xhiroja e parë e Superligës së Kosovës te femrat e cila do të zhvillohet më 9/10 Tetor, ndërsa Superkupa e Kosovës zhvillohet më 4/5 Tetor.

Ndërkohë, Superkupa Mbarëkombëtare do të zhvillohet më 13/14 Tetor, kurse xhiroja e parë në Ligën Unike do të zhvillohet 20/21 Tetor.

Në edicionin e kaluar tri skuadra të ndryshme fituan nga një trofe, Bashkimi Superkupën, Prishtina Kupën e Penza e fitoi titullin e kampionit.

Sa i përket transfereve, skuadra e Penzës e ka humbur lideren Arbnore Përqukun, e cila ka kaluar te Prishtina, ndërsa do të mbështetet në kapitenen e saj Valbon Bytyqi. Penza gjithashtu ka rikthyer Jeta Zekën, si dhe u përforcua me Sihana Ramojën, e cila së fundi ishte te Trepça dhe Gresa Berishën nga Vëllaznimi, ndërsa emri i fundit është Briana Williams.

Prishtina përveç Arbnore Përqukut ka rikthyer edhe Marigona Rushitin, ndërsa u përforcua me basketbollisten nga Ferizaj, Agnesa Rrahmanin. Nga skuadra prishtinase drejt Olympiacosit u largua Alexis Tolefree, kurse erdhi Sarah Mgbaike nga Vëllaznimi.

Bashkimit drejt Superligës së Turqisë iu largua Saranda Daci, por skuadra prizrenase u përforcua me Era Shatrin nga Prishtina, si dhe Besjana Martinaj, kurse vazhduan me lojtaret vendore, duke përfshirë Irma Konjushën dhe Ulpiana Emrën. Bashkimi u përforcua edhe me Cox Tequana, Barnes Ines dhe Gilbert Kymee.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.