Basketboll

EKSKLUZIVE: RAHOVECI AFËR MARRËVESHJES ME ISH-TRAJNERIN E TREPÇËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Rezultatet e dobëta në këtë fillim stinori, duket se kanë alarmuar drejtuesit e klubit të Rahovecit për të bërë ndryshime.

Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, ‘vreshtarët’ janë në bisedime të avancuara me trajnerin turk, Serhat Sehit i cili shpejtë mund të konfirmohet si trajner i ri i Rahovecit.

Turku që drejtoi Trepçën në edicionin e kaluar, duke siguruar mbijetesën me klubin nga Mitrovica, ka përvojë të konsiderueshme si trajner.

Sehit para ardhjes tek Trepça për 5 sezone rresht ishte ndihmës-trajner e për një kohë edhe trajner i parë në ekipin elitar turk, ”Demir Insaat Buyukcekmece”. Ndërsa, ka përvojë edhe si ndihmës-trajner te Përfaqësuesja A e Turqisë, si dhe ka udhëhequr disa ekipe në ligën e parë turke.

Marrë në përgjithësi Sehit është një trajner tejet i respektuar në basketbollin turk, por me Rahovecin nuk pritet të ketë aspak punë të lehtë, ngase skuadra po kalon në krizë të madhe të rezultateve.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.