Basketboll

E ARDHMJA NUK MUNGON AS TE YLLI [LISTA]

Prishtinë(AsistiOnline) – Në basketbollin e Kosovës në përgjithësi gjatë viteve të fundit ka pasur mungesë të lojtarëve vendorë dhe këtu kanë luajtur rol disa faktorë.

Me gjithë këtë në skuadrat e elitës kosovare, por edhe ato të rangjeve më të ulëta, disa lojtarë të rinjë me talent arrijnë të depërtojnë në 12she.

AsistiOnline.com ka vendosur që këta basketbollistë të rinjë ti shpalos më shumë te publiku, duke krijuar profile të shkurtëra për ta dhe aktivitetin e tyre që ata e zhvillojnë përgjatë kohës sa qëndrojnë në parket. Këtë prezantim të tyre po e vazhdojmë sot me ekipin e Yllit që gjithmonë ka prodhur basketbollistë të denjë për gara.

Qendra 204 centimetërshe, Drilon Shala është prej lojtarëve të rinjë më të angazhuar te Ylli sivjet, 19 vjeçari nga Theranda në 3 ndeshje me ‘xhebrailat’ ka qenë prezent mesatarisht 6.3 minuta në parket me 1.3 pikë e 1.3 kërcime për ndeshje. Përpos Yllit, Shala luan me licencë të dyfishtë edhe te MH Prishtina në Ligën e parë. Shala ka luajtur me Përfaqësuesen e Kosovës U-18 në European Challengers gjatë verës që lamë pas.

Drilon Shala

Individ që po performon bukur te Ylli sivjet është 22 vjeçari, Ardit Pepaj. Istogasi 194 centimetra i gjatë në 9 ndeshje me Yllin sivjet në Superligën e Kosovës ka qëndruar mesatarisht 14.1 minuta në parket dhe ka pasur mesatare solide prej 7.2 pikëve, 1.7 kërcimeve e 0.9 asisteve për ndeshje. Pepaj më herët ka qenë pjesë e disa prej gjeneratave të reja të Kosovës.

Ardit Pepaj

Te Ylli sivjet si përforcim ka ardhur edhe djaloshi i lindur dhe rritur në Britani të Madhe, Leon Neziri. 21 vjeçari është 188 centimetra i gjatë dhe luan në pozitën e organizatorit, gjersa me therandasit sivjet ka pasur minutazhë në 5 ndeshje dhe ka luajtur mesatarisht 5.4 minuta në parket, duke realizuar 0.8 pikë, 0.4 kërcime e 0.2 asiste. Të kujtojmë se Neziri ka qenë prej individëve kryesorë në atë suksesin historik që Kosova U18 e arriti në vitin 2018, duke u shpallur kampione evropiane në Divizionin C, pas fitores në finale ndaj Qipros me rezultat 73:64.

Leon Neziri
Në 2 ndeshje me Yllin sivjet, minutazhë ka pasur edhe Eris Zenelaj. me 2 minuta në parket për ndeshje, djaloshi i ri therandas nuk ka arritur të lërë gjurmë në parket, por që duke parë se sivjet është inkorporuar në ekipin e parë, ai synon që ta rrisë minutazhën dhe efikasitetin e tij.
Eris Zenelaj

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.