EKSKLUZIVE: KBF BASHKIMI TRANSFERON ORGANIZATOREN QË SHKËLQEU NË ELITËN SERBE
Prishtinë(AsistiOnline) – KBF Bashkimi vazhdon të përforcojë rradhët e veta për stinorin pranveror në Superligën e Kosovës dhe Ligën Unike.
Pas një gjysmëstinori zhgënjyes në vjeshtë, duket se drejtuesit e klubit prizrenas janë shumë të etur për ta rikthyer ekipin te sukseset dhe për këtë po vazhdojnë me transfere.
Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, transferi i rradhës te vashat portokallinje do jetë basketbollistja e dëshmuar amerikane, Shakyla Hill.
Lojtarja në fjalë luan në pozitën e organizatores së lojës(1).
Ekipi i saj i fundit ishte ”Kraljevo” nga elita e Serbisë tek të cilët ishte prej lojtareve më të dalluara me mesatare, 14.3 pikë, 6.4 kërcime, 6.1 asiste, si dhe 4.2 topa të vjedhur për ndeshje.
Vlen të ceket se Hill me Kraljevon luajti edhe në ABA Ligën e Femrave, duke qenë prej individeve më të dalluara të Ligës me një mori shpërblimesh individuale: Duke u shpallur si lojtarja më e mirë mbrojtëse e stinorit, lidere me topa të vjedhur për ndeshje, poashtu hyri në ekipin më të mirë mbrojtës të WABA-s dhe në aspektin ekipor e fitoi Kupën e Serbisë.
KBF Bashkimi në merkaton dimërore ka kryer pesë transfere: Dy basketbollistet vendore Sihana Ramoja e Aulona Muhadri si dhe tri të huajat, Monique Coker, D’Asia Chambers dhe kjo e fundit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.