RUGOVA LARGOHET NGA POSTET NË FBK DHE LIGËN UNIKE
Prishtinë(AsistiOnline) – Drejtori i deritanishëm i Përfaqësueses së Kosovës A dhe U.D i drejtorit të Ligës Unike, Granit Rugova ka njoftuar sot dorëheqjen nga këto dy poste që mbante deri tani.
Nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, ish-basketbollisti i disa skuadrave kosovare, por edhe reprezentues i Kosovës ndër vite, ka njoftuar sot se ka liruar postet që mbante deri tani, për shkak të një sfide të re që po e nisë, ku pritet të nisë punën si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës.
Postimi i tij i plotë:
”Pas një përvoje të jashtëzakonshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës, erdhi koha e ndryshimit. Falënderoj të gjithë për besimin ndaj meje dhe në veçanti Kryetarin Arben Fetahu, Sekretaren e Përgjithshme Elvira Dushku, Bordin e FBK-së dhe të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët për këtë periudhë 3-vjeçare e gjysmë. Puna si Drejtor i Përfaqësuesve të Kosovës ishte shumë sfiduese, por u përpoqa dhe dhashë maksimumin. Ishte nder dhe krenari për mua, ashtu siç e kam veshur fanellën e Prishtinës dhe Kosovës ndër vite. U. D. i Drejtorit Ekzekutiv të Ligës UNIKE për mua ishte përgjegjësi, por edhe krenari, të punoja për një ligë që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë. Njëra sfidë ka mbaruar, tjetra po fillon. Dua të ju njoftoj se, z. Uran Ismaili dhe Partia Demokratike e Kosovës më ka besuar të udhëheqi Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës. Me kënaqësi e kam pranuar këtë detyrë dhe pa dyshim se do të kontribuoj në promovimin dhe avancimin e sportit në qytetin tim të zemrës”, thuhet në shkrimin e Rugovës.
Të kujtojmë se Rugova për një periudhë disavjeçare e luajti rolin e Drejtorit të Përfaqësueses së Kosovës A, derisa së fundmi ishte emëruar U.D i Drejtorit të Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë, pas dorëheqjes nga kjo pozitë e z.Dren Zatriqit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.