Basketboll

PRIZRENI 16 NË VEND TË KOLJEVIQIT E TRANSFERON DARRELL DAVISIN

Prishtinë(AsistiOnline) – Largimi i papritur i Ivan Koljeviqit nga Prizreni 16 në drejtim të Rahovecit, ka shtyer drejtuesit e Prizrenit 16 që të mendonin për një plejmejker të ri të ekipit.

Skuadra prizrenase ka njoftuar çaste më parë se ka nënshkruajtur me fundorin amerikan, Darrell Davis.

Për lojtarin në fjalë nuk ka se çfarë të flitet shumë, pasiqë pothuajse për dy sezone të kaluara te Rahoveci në të kaluarën ka shkëlqyer në basketbollin e Kosovës.

”Ish basketbollisti i Rahovecit i cili me paraqitjet e tij la përshtypje të mirë, ka shtyer drejtuesit e skuadrës që të arrijnë marrëveshje bashkëpunimi për pjesën e mbetur të kampionatit”, thotë njoftimi i klubit të Prizrenit 16 sonte.

Gjatë edicionit në të cilin gjendemi, Davis ka zhvilluar dy ndeshje me skuadrën elitare çeke ”Olomoucko” me mesatare prej 7.5 pikëve e 5.5 kërcimeve, derisa në edicionin e kaluar në pranverë erdhi te Rahoveci ku luajti me 21.9 pikë, 6.3 kërcime e 4.6 asiste për ndeshje.

Në stinorin 2019/20 po tek ‘vreshtarët’, amerikani nga Detroiti kishte luajtur me statistika impresive, 20.5 pikë, 6.0 kërcime e 4.1 asiste për ndeshje.

Përpos Kosovës dhe Çekisë, Davis ka përvojë edhe në elitën boshnjake me Slloboda Tuzllën nën-drejtimin e Damir Mulaomerovicit, Hungari, Holandë dhe natyrisht në SHBA.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.