Basketboll

ASISTI 498 SHUMË SPECIAL: KUPA NË FOLENË E KUPAVE DHE SARA E ASDRENI

Të enjten me ndeshje e katërt finale të Play Off-it të Artmotion Superligës, ka përfunduar edicioni i sivjetmë i basketbollit dhe Golden Eagle Ylli u shpall kampion.

Sipas traditës dhe zakonit , Kupa vjen te vendi i Kupave në ASIST por kësaj here pak më ndryshe.

Sonte arkitekti i suksesit historik që vitin e kaluar fitoi tre trofe dhe sivjet mbrojti titullin, trajneri Adis Beqiragiqi së bashku me dy yjet e Yllit që ishin shtyllat kryesore, kapitenin Gëzim Morinën dhe Erjon Kastratin vijnë në ASISTIN 498 me një intervistë speciale direkt nga foleja e kampionëve, 13 Qershori.

Por, as kjo nuk është e tëra sepse ekskluzive në ASISTIN 498 sonte është biseda me dy mysafirë shumë special, ata që na i shkrinë zemrat me dashurinë e tyre të çiltër për basketboll: Asdreni dhe Sara.

Të gjithëve ju kujtohen pamjet e Asdrenit, djaloshit i cili me lot në sy iu gëzua fitores së Trepçës në Therandë. Ishte kjo një pamje fantastike dhe dëshmi se si përkrahet skuadra e zemrës. Për më tepër, në rrjetet sociale dhe në xhirimet e ndeshjeve e kemi parë edhe Sarën e cila nuk lë ndeshje të Golden Eagle Yllit pa e përcjell dhe zemra i rrah për skuadrën e qytetit të saj. Fotografitë e këtyre dy adhuruesve të rinj të basketbollit kosovar janë bërë virale nëpër rrjete sociale dhe ASISTI ka vendosur që këtë edicion ta përmbyll pikërisht me ata që janë ardhmëria e vendit tonë : me fëmijët dhe rininë e cila po i jep mësim të vjetërve se si duhet të sillemi dhe si duhet ta duam dhe të bëjmë tifo për skuadrat tona.

Por, Sara dhe Asdreni sonte nuk janë tifozët e vetëm në ASIST sepse një rivalitet i madh sportiv u zhvillua edhe përbrenda Klan Kosovës.

Sonte flasin edhe dy kolegët që u kënaqen me rivalitet gjatë serisë finale Ylli – Trepça dhe me analizat dhe ngacmimet simpatike na qitën lotët e gazit. Kur jemi te gazi, po themi se njëri prej mysafirëve është Gazmend Syla, drejtori i Informacionit në Klan Kosova, tifoz i flaktë i Trepçës së bashku me Kushtrim Reshitajn, njërin prej tifozëve më të flaktë të sportit Therandas në përgjithësi. Kushtrimi dhe Gazi e përcollën këtë seri finale brenda e jashtë, në Therandë e Mitrovicë dhe nuk e lanë të vetmuar njëri-tjetrin për asnjë çast.

Kjo bisedë tejet simpatike në në ASISTI si temë kryesore ka serinë finale ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës që ishte shembull për atmosferën dhe ambientin sportiv të krijuar, në Minatori dhe 13 Qershori. Sonte Sara dhe Asdreni, Gazi e Kushtrimi flasin për një basketboll pa vandalizma, pa sharrje dhe pa fyerje, në mënyrë që fëmijët dhe rinia sikurse Sara dhe Asdreni të kënaqen dhe ta shijojnë maksimalisht sportin numër një në vendin tonë: basketbollin.

Gjitha këto dhe shumë më tepër, ju presin sonte nga ora 21:00 në Sport1 në Artmotion dhe 20 minuta pasmesnate në Klan Kosova në ASISTIN 498.

Shihemi te vendi !

Komentet janë të mbyllura.