Prishtinë(AsistiOnline) – Samir Zekiqi ishte njëri nga basketbollistët kryesorë vendor në ekipin e Trepçës sivjet.
Mitrovicasit bënë një edicion fantastik, duke arritur tri finale e në njërën nga to fituan Kupën e Kosovës dhe rikthyen trofetë e mentalitetin fitues në ‘qytetin e minatorëve’.
Padyshim që një prej lojtarëve kryesorë te Trepça këtë edicion, ishte edhe Samir, që pas një periudhe poashtu të suksesshme te Ylli, u rikthye në klubin ku mori hapat e parë si lojtar dhe shfaqi potencialin, duke u bërë prej lojtarëve që dhanë shumë për ekip.
Në një intervistë për AsistiOnline.com, Zekiqi tregoi për stinorin që kaluan te Trepça, të ardhmen e tij, por edhe grumbullimin te Kosova që pritet të ndodhë gjatë këtyre ditëve.
”Si për mua ashtu dhe ekipin ishte një vit mjaftë i frytshëm, kemi marrë pjesë në tri finale, njërën prej të cilave e kemi fituar. Ekipi është një ndër ekipet më të organizuara në këto dy vitet e fundit dhe mund ta quajmë vit shumë të suksesshëm, si për mua ashtu edhe për ekipin. Puna jonë e palodhshme, jo vetëm e lojtarëve por si nga kryesia ashtu edhe nga stafi i trajnerëve të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, kane arritur që ta kthejnë entuziazmin dhe kënaqësinë e basketbollit në qytetin e Mitrovicës dhe në gjithë ligën e Kosovës”, thotë Samiri.