SPECIALE: EKREM MEMNUN PËR ASISTIN, FLET PËR HERË TË PARË PAS RIKTHIMIT TE PRISHTINA
Prishtinë(AsistiOnline) – Një prej trajnerëve më me nam që ka shkelur në basketbollin e Kosovës, padyshim që është shqiptaro-turku, Ekrem Memnun.
Trajneri që ka shtetësi turke, por prejardhja e tij është shqiptare, sivjet rikthehet te Prishtina pas 17 vitesh dhe kërkon rrugën e rikthimit tek trofetë për kryeqytetasit.
Normalisht që vetë fakti se Memnun ka ardhur te Prishtina, tregon se kjo skuadër sivjet do të jetë ‘arrë’ e fortë për t’u thyer, porse koha pritet të e tregojë më së miri këtë gjë.
AsistiOnline.com ka realizuar një intervistë ekskluzive me trajnerin që ka edhe titull të fituar të Euroligës me Galatasarayn (femrat), derisa ai tregoi qartë se në Prishtinë ka ardhur me mision të vetëm, kërkimin e sukseseve.
”Para së gjithash, kam shumë miq në Prishtinë. Florian Miftari më ka telefonuar dhe më ka përmendur punën e trajnerit. Isha në dispozicion dhe erdha në Prishtinë, u takuam me Florianin, Presidentin Burim Maraj dhe Blerand Stavilecin, biseduam se çfarë mund të bëjmë dhe arritëm marrëveshje që unë të bëhem trajner i klubit”, tregon Memnun.
Pse vendosi të pranojë ofertën e Prishtinës?
”Isha në dispozicion, isha trajner i lirë dhe të ju them të drejtën, më pëlqen Prishtina si qytet. Unë kam shumë miq këtu dhe ky qytet ka shumë gjëra të mira, ka një publik fantastik dhe një tifozëri unike si Plisat. Mendoj se mund të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku, Prishtina është një brend kampioni, nuk ishte e vështirë të vendosi, kur e pashë planin e klubit”.
52 vjeçari nga Stambolli tregon edhe për çështjen e transfereve te Prishtina për sivjet.
”Thënë të drejtën ne po punojmë shumë për procesin e transferimeve në skuadër së bashku me bordin, në mënyrë që të ndërtojmë një ekip sa më mirë të mirë dhe konkurrues për të fituar në të gjitha garat ku do të marrim pjesë, për emra nuk mund të flas po ajo që mund të ju them është se jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën”, potencon trajneri me përvojë të madhe.
Në dy vitet e fundit, skuadra e Prishtinës po përjeton një ndryshim të gjeneratave, porse cili është mendimi i Memnun, a beson ai se do të konsolidohen mjaftueshëm?
”Po jam i informuar për këtë proces, pavarësisht kësaj unë mendoj se ne mund dhe do të bëjmë gjëra shumë të mira me ekipin, besoj që do të krijojmë një skuadër kompetitive dhe që do të jetë në gjendje të garojë”.
Cilat janë synimet e Memnunit me Prishtinën për këtë sezon?
”Synimet si gjithmonë, siç edhe i përmenda në pyetjet më sipër, janë që të fitojmë në të gjitha garat që po garojmë, duam të krijojmë skuadër që lufton për cdo trofe ku është në garë. Prishtina gjithmonë ka qenë e tillë dhekërkuese, ashtu janë mësuar tifozët e saj dhe ashtu do të veprojmë, nuk ka asnjë dyshim”, shprehet i bindur trajneri turk.
Krejt në fund, Memnun u pyet se a e ka shikuar basketbollin e Kosovës që kur ishte larguar dhe a mendon ai se është rritur niveli? apo nuk ka progres?
”Kam parë shumë basketboll të Kosovës posaçërisht në dy vitet e fundit. Sigurisht që pashë disa ndryshime dhe përmirësime, jam i sigurtë se kualiteti do të vazhdojë të përmirësohet, duhet që të ndodhë kjo gjë”, përfundoi intervistëm ekskluzive për AsistiOnline.com, trajneri Memnun.
Ardhja e Memnun te Prishtina është pritur me bujë të madhe, kjo për faktin se dihet karriera e tij në këtë profesion, por edhe sukseset që ai ka sidomos, ku jo më larg se vitin e kaluar e udhëhoqi Galatasarayn te meshkujt.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.