Prishtinë(AsistiOnline) – Për të pestin vit me radhë, Ponte Prizreni do të garojë në elitën e basketbollit kosovar.
Skuadra simpatike nga qyteti i lashtë i Prizrenit edhe sivjet do të synojë të jetë befasi e këndshme e basketbollit tonë, sikurse vitin e kaluar kur e nisi me trofe, duke e fituar Superkupën e Kosovës edhe pse askush nuk e kishte llogaritur seriozisht.
Të drejtuar në shtab teknik nga njëri prej drejtuesve të klubit, Arbnor Rifati, Ponte Prizreni sikurse çdo vit tjetër ka kryer disa ndryshime, por bërthama e ekipit është ruajtur.
Nga ekipi janë larguar, Arti Hajdari dhe Rilind Krasniqi, si dhe të huajt, Xavier Cannefax, Darell Davis e Rob McCoy.
Në stol do të vazhdojë të mbetet karizmatiku Arbnor Rifati, që vazhdon të mbetet prej trajnerëve të paktë vendorë në Superligën e Kosovës. E do të asistohet nga Rigon Hasi në rolin e ndihmësit, pas largimit të Edin Kërveshit në drejtim të Bashkimit.
Vazhdimi me qendrën gjigante, Urim Zenelaj ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin e Ponte Prizrenit që vazhdon të mbetet në skuadër që nga promovimi në Superligë, duke mbajtur barrën e skuadrën e kontratat janë vazhduar edhe me Qëndrim Ajazajn, Blend Matoshin dhe të rinjët, Leorit Morina, Besmir Memaj dhe Endrit Qovanaj.
Si transfere vendore te Ponte Prizreni sivjet janë shtuar, Meriton Ismaili dhe Donat Rexhepi, që të dy nga Sigal Prishtina dhe si ardhje e bujshme, natyrisht që llogaritet Meriton Ismaili i cili prej vitesh po luan te Përfaqësuesja e Kosovës A e Ponte Prizreni për të në aspektin ekipor do të jetë përvoja e parë jashtë Sigal Prishtinës pas 4 viteve tejet të mira aty. Meritoni në edicionin e fundit nën-urdhërat e Ante Nazorit ishte prej lojtarëve kryesorë te Prishtina me mesatare prej 8.9 pikëve e 3.1 kërcimeve për ndeshje.
Nga të huajt te Ponte Prizreni sivjet janë paraqitur katër prej tyre:
Gjersa afrimi më i bujshëm natyrisht që llogaritet rikthimi i Ivan Koljeviqit, veteranit malazez që ka përvojë të jashtëzakonshme dhe sa i përket kualiteve të tij, ato tashmë dihen e nga ana diciplinore nuk është fare e lehtë të menagjohet ngase i ka disa teke tejet interesante. Koljeviq në Kosovë ka luajtur edhe për Trepçën e Rahovecin, gjersa kulmin si lojtar e ka në Euroligë me Olimpiakosin e shumë skuadra tjera evropiane.
Transferi i dytë i huaj, Wayne Arnold. 23 vjeçari është i gjatë 191 centimetra dhe luan në pozitën 3, i cili shquhet si shuter i mirë, derisa ka qenë pjesë e dy kolegjeve amerikane. Call State Fullerton 2018/2021 – NCAA1 tek të cilët kishte mesatare prej 11 pikëve, 2.3 asisteve e 2 kërcimeve për ndeshje. Ndërsa së fundi ishte pjesë e Concordia University në NCAA 2, ku luajti me mesatare prej 23.1 pikëve e 4.4 kërcimeve për ndeshje.
De Angelo Stewart është emri i lojtarit të parafundit të huaj si transfer për Ponte Prizrenin. Basketbollisti i cili është i gjatë 196 centimetram luan në pozitat 2/3. Ai së fundi ka qenë pjesë e skuadrës gjeorgjiane ”Batumi” ku luajti me mesatare prej 11.6 pikë, 6.4 kërcime e 2.1 asiste për ndeshje. Në të kaluarën, ka luajtur në USA dhe Portugali.
Dhe Kevin Baker i gjatë 203 centimetra i cili në dy edicionet e fundit ishte pjesë e kolegjit amerikan nga NAIA Conference ”Lewis-Clark Ste College” tek të cilët u paraqit me mesatare prej 15.5 pikëve dhe efikasitet 43.5% për tre pikë.
Ponte Prizreni përpos garave vendore edhe sivjet do të paraqitet në Ligën Unike.
/AsistiOnline.com/



