Basketboll

FBK e mohon se Minchev do të jetë selektor i Kosovës

Prishtinë(AsistiOnline) – Ditëve të fundit janë shtuar zërat se kryetrajneri aktual i Trepçës, Lybuomir Minchev mund të marrë edhe drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës.

Bullgari që ka qenë në një periudhë edhe selektor i Bullgarisë, flitet se ka shumë të ngjarë të emërohet selektor i Kosovës, gjithnjë sipas informatave që posedon AsistiOnline.com

Megjithatë, njeriu që po dëshpëron tifozët e Trepçës me paraqitjet e klubit të tyre të zemrës, në ndeshjet e fundit dhe pakënaqësitë e tyre janë rritur konsiderueshëm.

Në lidhje me këto zhvillime, AsistiOnline.com ka kontaktuar me presidentin e FBK-së, Arben Fetahu i cili ka mohuar zërat e tillë, duke thënë se nuk ka të vërteta në zërat që po qarkullojnë për trajnerë të caktuar.

FBK nuk ka kontaktuar me asnjë trajner lidhur me postin e selektorit të Kombëtares A dhe nuk ka të vërteta në zërat që po qarkullojnë lidhur me kontaktet me trajnerë të caktuar. FBK është duke i vlerësuar raportet e punës të Kombëtares A dhe do të dalë me njoftime pas përfundimit të analizave të duhura të rezulteteve të arritura por edhe kapaciteteve potenciale për të arritur rezultate më të larta, marrë parasysh gjithë mungesat që i kemi pasur viteve të shkuara. Për momentin nuk ka ndonjë ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh kreu i FBK-së.

Të kujtojmë se greku, Christos Marmarinos vazhdon të jetë zyrtarisht selektor i Kosovës edhe pse sipas të gjitha gjasave, shprejtë pritet të merret vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Nën-drejtimin e Marmarinos, Kosova ka regjistruar rezultatet më të dobëta që nga pranimi në FIBA e deri tani me bilanc katastrofal dhe i gjithë komuniteti i basketbollit kosovar ka pasur kritika të ashpra në lidhje me atë se si rrodhën gjërat.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.