Peja triumfon pas vazhdimeve ndaj Ponte Prizrenit, mbyll vitin 2022 si lidere
Prishtinë(AsistiOnline) – Peja e ka fituar përballjen e parë të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës.
Verdhezinjët kanë triumfuar ndaj bardhezinjëve nga Prizreni me rezultat 83-91 edhe pse me shumë telashe, ngase triumfi u arrit pas vazhdimeve e koha e rregullt u mbyll baraz 74-74.
Ndeshja nisi shumë më mirë për ekipin vendas që fitoi çerekun e parë thellë 28-11, ndërsa Peja tregoi lojë pak më të mirë në periodën e dytë (19-27) dhe pjesa e parë u mbyll 47-38.
Në pjesën e dytë, vazhdoi loja e ngushtë, por Peja e fitoi çerekun e tretë minimalisht 16-17, verdhezinjët triumfuan edhe në periodën vendimtare 11-19, megjithatë kjo nuk mjaftoi për fitore e ndeshja shkoi në vazhdime.
Në vazhdimin e parë, Peja u tregua goxha më e saktë, duke e fituar këtë 5 minutësh (9-17), duke arritur kështu një triumf shumë të vlefshëm.
Pesë basketbollistë realizuan pikë dyshifrore në këtë fitore dramatike të Pejës sonte, Rodney Purvis (20), Jalen Tate (17) e Isiah Umipig (17), Samir Zekiqi (15), si dhe Brad Waldow (11).
Te Ponte Prizreni s’mjaftuan për fitore, Wayne Arnold me plotë 31 pikë, Dachon Burke me 23 e Leondre Washington me 15 sosh.
Pas xhiros së 16-të, Peja ka 12 fitore e 3 humbje dhe mbyll vitin 2022 me fitore e si lidere. Gjersa, Ponte Prizreni pësoi humbjen e 9-të, karshi 6 fitoreve.
Në xhiron e ardhshme, Peja e pret Golden Eagle Yllin e Ponte Prizreni e luan derbin lokal ndaj Bashkimit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.