Basketboll

”N’Rahovec e patëm konakun, për organizim ua jepni hakun”

Prishtinë(AsistiOnline) – Është mbyllur edicionin 2022/23 i Kupës së Kosovës me një organizim që u realizua në formë fantastike nga klubi i Rahovecit.

Me dy finalet e djeshme në konkurencën e meshkujve dhe të femrave, ka përfunduar Kupa e Kosovës për këtë edicion e që me të vërtetë ishte spektakolare.

Kupën te femrat e fitoi Bashkimi i Prizrenit e te meshkujt iu gëzua Trepça e Mitrovicës.

Përpos ndeshjeve shumë interesante në parket, ajo çfarë me të vërtetë vlen të ceket ishte organizimi fantasik dhe bravoroz i këtij evenimenti prestigjioz nga klubi i Rahovecit.

Edhe pse skuadra e tyre sivjet nuk po kalon në momente të mira, drejtuesit e klubit ‘vreshtar’ gjetën forcën për të pranuar organizimin e kësaj ngjarje të madhe, madje duke dhënë shembull se si përcillet një ngjarje pa asnjë problem brenda palestrës, shkruan AsistiOnline.com

Me të vërtetë, pothuajse gjithçka ishte e planifikuar në detaje duke mos i lënë asgjë rastit dhe sa i përket përgjegjësisë së klubit (brenda palestrës) nuk u regjistrua asnjë ekces apo incident dhe kësisoj organizimi ishte me të vërtetë faqebardhë.

Përpos sigurisë në nivel, edhe organizimi teknik ishte tejet në nivel, duke nisur nga prezantimi i ekipeve, shfaqjet e ndryshme artistike e mikëpritja ndaj klubeve, zyrtarëve të ndryshëm, gazetarëve etj, të gjitha ishin në nivel të duhur.

Sigurisht që organizime si këto të japin ndjenjën se edhe në vendin tonë mund të organizohet evenimente të nivelit evropian dhe për aq sa lejojnë kushtet dhe rrethanat, mund të japim shembuj të mirë.

E në fund po e mbarojmë me një fjali shumë reale: N’Rahovec e patëm konakun, për organizime ua jepni hakun. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.