Basketboll

E turpshme: Bayerni e mposht Zvezdën nën-thirrjet raciste të serbëve për Kosovën (FOTO)

Prishtinë(AsistiOnline) – Bayerni i Mynihut e ka fituar përballjen e xhiros 26 në Euroligë ndaj Crvena Zvezdës.

Bavarezët triumfuan ndaj ekipit serb me shifrat 87-80, por për kosovarët që e shikuan, nuk është se la shije të ëmbël, shkruan AsistiOnline.com

Ajo çfarë vlen të ceket më shumë nga kjo ndeshje, për fat të keq është se disa tifozë të ekipit serb që ishin të pranishëm në ”Audi Dome”, shpalosën flamuj të Serbisë, ku shteti i Kosovës, cilësohet si territor i Serbisë.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që shihen dhe lejohen gjëra të tilla, pasi në ndeshjet e Crvena Zvezdës si vendase, pothuajse çdoherë këndohet dhe ofendohet në kore ndaj Kosovës e poashtu shfaqen flamuj të tillë me prapavi të turpshme dhe të papranuar.

Më shumë është e çuditshme se si në ndeshje të karakterit të tillë, lejohen pa asnjë telashe thirrje raciste dhe mbi të gjitha flamuj me shkrime e harta raciste, kjo duhet të jetë kritikë e ashpër ndaj kompeticionit të Euroligës, e reagimi sigurisht që duhet të jetë edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës, si institiucioni më i lartë i basketbollit në vend dhe i pranuar nga FIBA e FIBA Evropa.

Sigurisht që edhe shikuesit gjermanë që shkojnë në përkrahje të skuadrave të tyre familjarisht dhe përkrahin skuadrat e tyre drejt e pa fyerje dhe ofendime ndaj kundërshtarit, sonte kanë ndjerë neveri nga këto skena të turpshme të serbëve.

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.